Murati e Veseli në fushatën për regjistrimin e diasporës | Foto: KALLXO.com

Veseli për Diasporën: Nuk po Regjistrojmë Numra por Asete

“Regjistrimi i bashkatdhetarëve tanë ka shumë rëndësi, nuk ka rëndësi me e ditë vetëm numrin, nuk na duhet vetëm numri, për arsye se bashkatdhetarët me shpirt janë në Kosovë, ata e dojnë me shpirt Kosovën edhe sot investojnë në Kosovë. Ne nuk po regjistrojmë numra, se ata janë vetë Kosova , por po i regjistrojmë si asete me e ditë afërsisht se çka kemi në diasporë cilat janë profilet tona në diasporë,” tha Veseli.

Ndërsa ministri i Diasporës Valon Murati tregoi numrin e mërgimtarëve të regjistruar verën e kaluar.

“Vitin e kaluar vetëm gjatë muajve të verës në bashkëpunim me partnerët tonë kemi regjistruar mbi 200 mijë bashkatdhetarë,” tha ministri Murati.

Kryetari i Kuvendit Veseli tha se mërgimtarët që ikën nga të këqijat që u ndodhnin në atdhe, tash janë kthyer në forcë.

“Kemi të bëjmë  me bashkatdhetarë tanë, me historinë tonë të dhembjes, në përndjekjen e cila  u është shkaktuar qytetarëve tanë, në përndjekjen e tyre gjatë viteve të 1990. Ata kanë dalë të lënduar shumë kur kanë ikur duke kaluar male, shtigje, rreziqe, por të njëjtën kohë shumica e tyre pas 26 vjetësh janë një pjesë elitare dhe intelektuale të cilët kanë vërshuar universitetet anekënd botës,” tha Veseli.

Edhe ministri i Diasporës Murati tha se regjistrimi shërben për ta ditur fuqinë intelektuale dhe ekonomike të diasporës.

“Procesi i regjistrimit është i rëndësishëm sepse përveç që ne do të dimë për numrin dhe shtrirjen e bashkatdhetarëve tanë, ne do të dimë edhe për strukturën e familjes tonë në diasporë, shkollimin, profesionin, shoqatat dhe bizneset dhe si rrjedhojë do të jemi më të përgatitur si shtet të ndërtojmë politika të duhura në raport me diasporën tonë,” tha Murati.

Përfaqësuesi i UNDP-së Andrew Russell gjatë fushatës së sotme për regjistrim të mërgimtarëve foli për investimet e diasporës në Kosovë, duke treguar se 2 mijë e 500 vende pune janë krijuaar nga aktivitetet e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, qeverisë dhe organizatave tjera.

“Unë shpesh gjatë qëndrimit tim në diasporë kanë dëgjuar se sa e vështirë është për ata që vinë për të investuar në Kosovë dhe nuk po e mohoj se është e vështirë, por kjo është e mundshme dhe këtë e them sepse e di që ne si UNDP së bashku me organizata të tjera me qeverinë kemi arritur që të krijojmë së paku 2500 vende të punës, por gjithashtu edhe më shumë se 10 mijë familje të cilat kanë përfituar nga kjo,” tha Russell.

Valon Murati tregoi se pas regjistrimit fizik do të ndodhë dalja online e regjistrimit të diasporës.

“Sivjet po futemi në një fazë të rëndësishme të procesit të regjistrimit të diasporës, në fazën finale të regjistrimit fizik. Kjo fazë do të pasohet me atë që quhet regjistrim-plasim i cili përfshin regjistrimin online. Dinamika e regjistrimit fizik është jashtëzakonisht e rëndësishme për suksesin e tërë procesit,” tha Murati.

Regjistrimi i diasporës ka moton “Ti je Pjesë e Atdheut”.