Veseli takoi asamblistin shqiptar të Nju Jorkut, Mark Gjonaj Foto: Kuvendi i Kosovës

Veseli pas takimit me Mark Gjonaj: Diaspora, prej aseteve kryesore të Kosovës

Kryetari i Kuvendit Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim asamblistin shqiptar të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se, Veseli dhe asamblisti Gjonaj diskutuan për zhvillimet politike, arritjet e Kosovës në shumë fusha dhe sfidat që ajo ka para vetes.

Veseli e konsideroi të një rëndësie të veçantë integrimin dhe depërtimin e shqiptarëve në jetën politike e institucionale të vendeve perëndimore në të cilat jetojnë dhe veprojnë.

“Rasti i Mark Gjonajt është shembulli më i mirë i këtij integrimi, kjo edhe falë mundësive që shteti amerikan u jep të gjithë shtetasve të tij. Shqiptarët në Amerikë vazhdojnë të shërbejnë si një urë e fuqishme lidhjeje midis SHBA-ve dhe vendeve prej nga vijnë”, citohet të ketë thënë Veseli.

Ai tha se diaspora vazhdon të mbetet një prej aseteve kryesore të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, ndërsa theksoi nevojën për gjetjen e mënyrave për investim më të madh në Kosovë të ndërmarrësve shqiptarë në diasporë.

“Asamblisti Mark Gjonaj, nga ana e tij, e njoftoi kryeparlementarin Veseli për punën dhe angazhimet e tij në jetën politike amerikane”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.