Thaçi. Veseli. Haradinaj. Ahmeti - Foto: REL/Official publication

Veseli mbledh nesër krerët shtetërorë dhe Ekipin Negociator

Pak ditë pas mbajtjes së Samitit të Berlinit, kryeparlamentari Kadri Veseli do t’i mbledhë nesër në një takim krerët shtetërorë.

Pjesë e këtij takimi do të jenë presidenti, Hashim Thaçi, kryeministri, Ramush Haradinaj si dhe Delegacioni Shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë.

Burime të KALLXO.com brenda kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli e kanë konfirmuar mbajtjen e këtij takimi.

Po ashtu, brenda këtij takimi pritet të diskutohet për Samitin e Berlinit dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Samiti i Berlinit u mbajt këtë të hënë, ku nikoqir ishin kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Në ditën e mbajtjes së Samitit të Berlinit, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, deklaroi se zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk duhet të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.

Kurse, presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se duan t’i shqyrtojnë të gjitha mundësitë për të dy shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se nuk e kanë për qëllim të imponojnë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën.

Nga ana e tyre, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj ashtu edhe siç pritej nuk lanë pa folur as në këtë takim për kufijtë e Kosovës.