Foto: Kallxo.com

Veseli: Marrëveshjet e nënshkruara me Shqipërinë duhet të gjejnë zbatim menjëherë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përshëndetur punimet e mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Veseli përmes një postimi ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjeve janë një zhvillim pozitiv për qytetarët e Kosovës.

“Nënshkrimi i marrëveshjeve që forcojnë lidhjet tona ekonomike, arsimore, kulturore dhe në shumë fusha të tjera janë një zhvillim pozitiv për qytetarët tanë”, ka shkruar Veseli në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas tij, marrëveshjet e nënshkruara do të gjejnë zbatim të menjëhershme, dhe jo të mbesin vetëm pjesë e diskursit publik.

“Unë besoj se këto marrëveshje, por edhe të tjerat që do të nënshkruhen në të ardhmen, do të gjejnë zbatim të menjëhershëm dhe efikas, e jo të mbesin vetëm pjesë e diskursit tonë publik”, ka shkruar  Veseli.

Kryeparlamentari ka shtuar se “vetëm duke bashkëpunuar ngushtë me njëri-tjetrin, duke ndihmuar njëri-tjetrin, duke promovuar bashkë vlerat tona, ne ndërtojmë një jetë më të mirë për qytetarët tanë dhe një të ardhme më të ndritur për gjeneratat e reja”

Sot është mbajtur mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në Pejë.