Veseli: Lekë Zherka dha shumë për gazetarinë në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ngushëlluar familjen dhe miqtë e gazetarit të njohur në Kosovë, Lekë Zherka, i cili ka ndërruar jetë sot.

Veseli përmes rrjetit social Facebook, ka shkruar se Lekë Zherka ishte njëri prej njerëzve që i dha shumë gazetarisë në Kosovë.

“Profesionist i mirëfilltë, shembull i rrallë i përgjegjshmërisë dhe ndershmërisë. Me punën e tij ai kontribuoi në ngritjen dhe zhvillimin e shumë mediave në Kosovë, në edukimin e kuadrove duke ndjekur gjithmonë standardet më të larta të gazetarisë. Ngushëllime familjes dhe miqve për vdekjen e hershme të tij.”, ka thënë kryeparlamentari.

Sot në moshën 56 vjeçare ka vdekur Lekë Zherka, gazetar dhe drejtor shumëvjeçar në Kosovë.

Lekë Zherka karrierën e ka filluar në Radio Televizionin e Prishtinës në vitin 1985.

Pas luftës ai ishte drejtor i Radio Kosovës, pastaj drejtor shumëvjeçar në televizionin Kohavision (KTV), ndërkaq karrierën e tij profesionale deri në ditët e sotme e vazhdoi në Radiotelevizionin 21 (RTV21).

Me rastin e vdekjes të Lekë Zherkës nesër nga ora 11:00 do të mbahet mbledhje komemorative në Sheshin 21, në Radiotelevizion 21.

Ndërsa, varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në varrezat e qytetit në Prishtinë, duke filluar nga ora 13:00.

https://kallxo.com/vdiq-gazetari-leke-zherka/