FOTO: Kryeparlamentari Kadri Veseli -Facebook

Veseli lartëson kontributin e gjeneralit amerikan Timothy Orr në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur në takim një delegacion nga Iowa e SHBA-së, të kryesuar nga Gjenerali Timothy Orr.

Përmes një komunikate për media, Kuvendi njofton se në takim u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë që Kosova dhe shteti i Iowa-s kanë ndërtuar ndër vite, si dhe për modalitetet e bashkëpunimin në të ardhmen.

“Kryeparlamentari Veseli falënderoi Gardën Kombëtare të Ioëa-s dhe shtetin e Iowa-s në përgjithësi, për mbështetjen e madhe dhënë Kosovës në fushën e sigurisë, sidomos në përgatitjen e kuadrove ushtarakë”, thuhet në njoftim.

Veseli tha se mbështetja ushtarake për Kosovën është e nevojshme, sidomos tani kur ajo po ndërton kapacitetet e saj të plota ushtarake.

Ndërkaq, Gjenerali Timothy Orr, nga ana e tij, ritheksoi edhe një herë përkrahjen për Kosovën.

“Jam i nderuar te takoj kryeparlamentarin Veseli dhe ta falënderoj për përkrahjen e tij për këtë marrëdhënie të veçantë mes shtetit të Iowa-s dhe Republikës së Kosovës. Angazhimi i tij demonstron përkushtimin e Kosovës për zgjerimin e partneritetit ndërmjet sektorëve kritikë që përfshijnë edukimin, biznesin dhe agrikulturën, në mënyrë që të forcohet bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi gjenerali Orr.