Kadri Veseli - Kryetar i PDK-së - 20.07.2019.

Veseli: Kosova qëndron fuqishëm përkrah ShBA-ve dhe BE-së

Kadri Veseli, pas kthimit nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar se Kosova qëndron afër dhe shumë fortë përkrahë me partnerët e vet perëndimorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Vij nga një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mund ta ritheksojë fuqishëm se Kosova qëndron afër dhe shumë fortë përkrahë me partnerët e vet perëndimorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Mbi çdo interes individual, apo partiak qëndron vetëm Kosova”, tha Veseli.

Ai në këtë konferencë gjithashtu deklaroi se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme tashëm pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

“Si Partia Demokratike e Kosovës falënderojmë dhe sigurojmë qytetarët për përkrahjen dhe besimin e qëndrueshëm e të përbashkët në interes të vendit tonë dhe vlerave tona perëndimore. I sigurojmë ata se do t`i kryejmë të gjitha përgjegjësitë tona për t`i dhënë vendit një qeveri me mandat dhe legjitimitet prej tyre sa më parë”, deklaroi ai.

Veseli gjithashtu ka komentuar edhe ftesat nga Gjykata Speciale të cilat kanë pranuar së fundmi disa nga ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë këtu Ramush Haradinajn, Jakup Krasniqin, Bislim Zyrapin dhe Sokol Bashotën.

“Ftesat për bashkëluftëtarët që po vijnë nga Gjykata Speciale e që mund të vijnë edhe në vazhdim nuk duhet të lejojmë të shkaktojnë asnjë huti apo pasiguri tek qytetarët tanë. Besimi ynë në drejtësi dhe në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i palëkundur, për aq sa edhe bindja jonë se ushtarët e lirisë do të dalin faqebardhë dhe edhe në fund të kësaj sfide”, tha Veseli.

 

https://kallxo.com/veseli-ftesat-e-gjykates-speciale-nuk-duhet-te-shkaktojne-asnje-huti-apo-pasiguri-te-qytetaret/

 

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si kryetar i Qeverisë së Kosovës.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.