Veseli Kërkon Riformatizim të Gjerë të Qeverisë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kërkuar sot që qeveria e Kosovës t’i nënshtrohet një, siç e quajti ai, riformatizimi të gjerë.

Largimi i Hashim Thaçit nga postet në qeveri si Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Punëve të jashtme drejt Presidencës, i ka lënë bosh dy poste qeveritare të cilat nuk janë plotësuar ende.

Duke qenë partneri më i madh në koalicion, PDK nuk e drejton qeverinë pasi që atë e ka lënë në duar të Isa Mustafës së LDK-së.

“Nëse zoti Mustafa kërkon të bëjmë vetëm një ndërrim emrash, ne shumë shpejt do ta bëjmë atë. Gjithsesi ne jemi për një koncept që të shohim të bëjmë një riformatizim të gjerë”, tha sot Veseli i cili tri dit ëmë parë mori kontrollin e PDK-së në një konventë zgjedhore.

Në ditën e tretë si kryetar, Veseli mbajti një konferencë për shtyp në të cilën prezantoi  të aderuarit e rinj në PDK e që janë zyrtarë të dikurshëm të Vetëvevendosjes të mbledhur brenda të ashtuquajturit “Fraksion+”.

“E kemi  një rrugë të përbashkët që nga dita e sotme drejt zhvillimit dhe ndryshimeve cilësore që do të ndodhin në Kosovë në të gjitha fazat e zhvillimit politik, qeverisjes, ekonomisë”, tha Veseli duke prezantuar të aderuarit.

Në mesin e tyre janë Ajnishahe Halimi nga Skënderaj e cila për një kohë të gjatë ka qenë opozita e vetme në këtë komunë ndaj kryetarit të komunës, Sami Lushtaku si dhe Fatos Aliu e Arbër Gecaj.

Ajnishahe Halimi, asamblistë në asamblenë komunale të Skënderajt, e zgjedhur në listën e Vetëvendosjes, dha arsyet pse ky fraksion i është bashkuar PDK-së.

“Lidhet ideja, lidhen konceptet. PDK ka qenë pjesëmarrëse në konceptet shtetformuese dhe shtetndërtuese. Ky ka qenë qëllimi që të bashkohemi. Kemi gjetë hapësirë që të kontribuojmë bashkërisht për ndërtimin e këtij shteti, për luftimin e të keqes, për reformimin kryesisht të PDK-së si dhe integrimin e shtetit”, tha ajo.