Veseli: Janë në procedurë një varg projektligjesh për lehtësimin e veprimtarisë prodhuese

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Kosova duhet të ketë zhvillim ekonomik të qëndrueshem.

Veseli këtë deklaratë e dha në konferencën “Dialogu publiko-privat në funksion të zhvillimit të sektorit privat”.

Ai ka kërkuar bashkëpunim më të madh midis odave ekonomike dhe institucioneve.

“Sot jemi këtu bashkërisht për të diskutuar dhe për të bërë përpjekjet publike për modernizimin e ekonomisë së Kosovës. Institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e ndërmarrësisë mund të arrijnë të zhvillojnë një ekonomi shumë më kontribuuese. Nëse vazhdojmë kështu, rrezikohet rinia dhe mund të kemi degradim demografik. Kam pritur që odat ekonomike të jenë më influencuese. Odat ekonomike mund të përcaktojnë politikat tona dhe tani kemi disa iniciativa dhe kjo është shumë mirë”, theksoi Veseli.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, kreu i legjislativit të Kosovës bëri të ditur se janë në procedurë një varg projektligjesh, të cilat lehtësojnë veprimtarinë prodhuese e biznesore.

Veseli tha se çdo iniciativë e odave ekonomike të Kosovës, do të gjej përkrahjen e institucioneve, ngase, siç tha ai, nuk ka asgjë më prioritet sesa zhvillimi ekonomik.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, foli për lehtësirat që qeveria ka krijuar për bizneset viteve të fundit dhe impaktin pozitiv që ato kanë pasur në zhvillimin e tyre. Hamza tha se punëdhënësi më i madh në Kosovë është sektori privat e rrjedhimisht edhe kontribuuesi kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se është i lumtur që sot Kosova ka arritur të marrë një drejtim të mirë, me gjykatën komerciale. Ai tha se kjo gjykatë do të jetë adresë e cila do ta rrisë efikasitetin e drejtësisë për bizneset.

Kryetari i Odës Ekomomike, Berat Rukiqi, tha se me politikat publike, ka lëvizje të qartë të fuqisë punëtore drejt vendeve të tjera. Ai e konsideroi të domosdoshme ndërmarrjen e masave për ndalimin e kësaj ikjeje, duke krijuar kushte për punë brenda Kosovës.