Veseli ia ‘Merr’ Numrin Vokrrit

Me numrin 9 në shpinë, Fadil Vokrri në kohën e tij i bënte të vuajnë portierët dhe mbrojtjet e ekipeve kundërshtare.

Një fanellë me të njëjtin numër Vokrri që sot e mban postin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, ia dhuroi kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Por fanella që ia dhuroi sot Vokkri kryetarit të Kuvendit nuk ishte ajo e kaltra e Klubit Futbollistik “Prishtina”, e as ajo bardhezi e Partizanit të cilat sulmuesi nga llapi i kishte djersitur për vite me radhë.

Veseli e mori numrin 9 të fanellës së ekipit kombëtar të Kosovës me emrin dhe mbiemrin e tij të shtypur në shpinë.

Veseli e ka pritur Vokrrin sot në zyrën e tij, pak ditë pasi i pari i futbollit kosovar korri suksesin më të madh të Kosovës në arenën futbollistike botërore, jo në fushë por jashtë saj, duke e anëtarësuar FFK-në në FIFA.

“Duke përgëzuar z.Vokrri për suksesin historik të anëtarësimit të futbollit kosovar në UEFA dhe FIFA, kryetari Veseli theksoi se “me punën tuaj mburremi të gjithë, mburret Kosova”.

“Sportistët kosovarë, me talentin e tyre, janë duke dëshmuar përditë e më shumë se janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë në botë, që po i japin zë dhe identitet Kosovës në garat ndërkombëtare, prandaj edhe institucionet e shtetit do t’i japin prioritet përkrahjes dhe investimeve kapitale në fuqizimin e sportit”, u shpreh Veseli.

Nga ana e tij, Vokrri falënderoi kryetarin Veseli për përkushtimin e tij dhe të institucioneve që futbolli kosovar pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA të jetë në nivelin e kushteve e standardeve për të qenë pjesë dinjitoze e garave të futbollit evropian dhe atij botëror.