Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli - Foto: Facebook

Veseli i Dërgon Letër Malit të Zi për Demarkacionin

Zyra e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u ka dërguar një letër institucioneve më të larta shtetërore të Malit të Zi, përmes të cilës u kërkojnë atyre që të kërkojnë nga Bashkimi Evropian që demarkacioni mos të jetë kusht për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Presim që bartësit më të lartë institucionalë në Mal të Zi do të kërkojnë nga BE që demarkacioni mos të jetë kusht për Kosovën. E kemi kërkuar zyrtarisht nga ta që të thuhet se Kosova nuk ka asnjë problem me Malin e Zi”, tha Kadri Veseli pas një mbledhjeje të Kryesisë së Kuvendit, e cila dështoi në mungesë kuorumi.

Me këtë rast Veseli tha se demarkacioni është bërë histori e gjatë që po dëmton Kosovën dhe qytetarët e saj. “Po rrezikojmë mosintegrimin për bllokim të padrejtë, për një kusht të padrejtë“, tha ai.