Kadri Veseli- Foto: Atdhe Mulla

Veseli fton deputetët ta përkrahin iniciativën e tij

Kryeparlamentari Kadri Veseli si propozues për formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, fjalën e tij para deputetëve e filloi me atë çka ka parë sot.

“Sot në mëngjes isha në vendin ku ruhen qindra pako me rrobat të qytetarëve tanë të vrarë e të masakruar nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në mesin e rrobave pash bluzën e një fëmijë  mund të ketë qenë 7/8 vjet me mickey mouse, e shpuar nga predhat, pash një bluzë po ashtu të grisur të një gruaje të dhunuar dhe të masakruar, pash opingat e një loke mbi 100 vjeçe, Zade Dragaj po ashtu e vrarë, do të thotë, fëmijë, të rinjtë, pleq, të gjithë të vrarë për një qëllim dhe vetëm një arsye se nuk ishin serb”, tha ai.

Sipas Veselit, Kosova 20 vite pas luftës ka arritur një progres të jashtëzakonshëm në rimëkëmbjen e saj.

“Në këto 20 vjet liri vendi ynë ka shënuar të arritura të mëdha, kemi shpallur pavarësinë, kemi ndërtuar bazat e një shteti demokratik, kemi ngritur ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve,  ndërsa në vitin që shkoi kemi formuar edhe ushtrinë e Kosovës”, tha ai.

Sipas tij Kosova edhe pse ka qenë viktima ka bërë të gjitha veprimet që janë kërkuar nga faktori ndërkombëtar.

“Edhe pse popull i sulmuar kemi pranuar çdo çmim që na është kërkuar, duke iu përgjigjur çdo pretendimi për aktakuzë në Kosovë dhe në Hagë, kemi ngritur edhe një Gjykatë Speciale, kjo është pjesa e historisë në të cilën nuk kthehemi prapa”, tha ai.

Sipas Veselit, Kosova ende ka plagë nga lufta e fundit në Kosovë dhe kriminelët ende janë të lirë.

“Plaga më e madhe është mungesa e drejtësisë për viktimat e gjenocidit të cilën shteti serb e ushtroi ndaj popullit tonë gjatë viteve të luftës. Janë mijëra të vrarë të masakruar, varrosur e zhvarrosure dhunuar e përdhunuar, për të gjithë këto krime dihen me emra kryerësit e këtyre veprave”, tha ai.

Tutje Veseli kritikoi heshtjen e Bashkimit Europian të cilën e krahasoi me heshtjen kur ‘Millosheviqi valëviste flamujt e luftës dhe bota bëhej sikur nuk e shihte’.

Veseli përpara se t’i ftonte për të votuar për iniciativën e tij, nuk kurseu kritikat as për partitë politike në Kosovë të cilat sipas tij janë më shumë të interesuar në burgosjen e politikanëve kosovarë sesa ata serbë.