Tryeza e organizuar nga PDK për kancerin e gjirit - Foto: Facebook/UranIsmaili

Veseli: Do të rriten investimet në shëndetësi

Në një tryezë të organizuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila shënonte përmbylljen e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka premtuar rritje të buxhetit për shëndetësinë.

Sipas tij, vetëm investimet në sektorin e shëndetësisë janë 64 milionë.

Ai tha se këto investime do të rriten deri në 80 milionë.

Veseli theksoi se për një vit janë shpëtuar miliona euro nga udhëheqësia e tanishme e sektorit të shëndetësisë.

“Kanceri i gjirit po e prek edhe vendin tonë si çdo vend tjetër. Ajo çfarë mund të bëjmë më tepër është që ta parandalojmë, se sa ma herët e diagnostikojmë edhe shërimi është më i madh. Ne si Parti Demokratike e kemi prioritet shëndetësinë, e kemi bërë prioritet që pacientët kosovarë të gjejnë shërim në vendin e vet. Do të fillojnë shërbimet shëndetësore në Kosovë, në të njëjtën kohë edhe me barna për vetë faktin brenda muajve barnat esenciale do të jenë çështje e kryer që pacientët tanë të mos bredhin. Do t’i krijojmë kushtet infrastrukturore që nga shërbimi primar”, ka thënë i pari i PDK-së.

Ndërsa, në këtë tryezë, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili po ashtu vjen nga PDK, tha se një në tetë gra preken nga kanceri i gjirit por 90 për qind prej tyre shpëtojnë po u diagnostikuan me kohë.

Ministri premtoi investime të reja në Institutin e Onkologjisë.

“Jemi duke e reviduar listën esenciale që pacientët tanë ta marrin barin më të mirë të mundshëm. Unë kam filluar të shoh një fije shprese në këtë sektor. Si pacientët edhe profesionistet janë krahas neve për reforma. Premtoj se do shtojmë investimet në Institutin e Onkologjisë”, tha Ismaili.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe mjekë, pacientë, e anëtarë të shoqërisë civile.

Mjekët thanë se dita ditës po rregullohet furnizimi me barna.