Zeqirja Qazimi në në Gjykatën e Apelit. Foto: Kallxo.com

I Vërtetohet Dënimi Zeqirja Qazimit

Zeqirja Qazimit dhe të dënuarve bashkë me të për vepra që lidhen me terrorizmin u janë vërtetuar dënimet nga Gjykata e Apelit.

Lajmin për vërtetim dënimesh ndaj Qazimit dhe të tjerëve e bëri të ditur kjo gjykatë me anë të një komunikate.

Sipas komunikatës, Apeli refuzoi ankesat e prokurorisë dhe mbrojtjes për të dënuarit Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba.

Apeli njofton se vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj  të datës  20.05.2016, sipas të cilit këta shtatë persona u dënuan për rekrutim për terrorizëm, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist dhe nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar ose etnik.

Zeqirja Qazimi, ish-imam në xhaminë “El-Kudus” u dënua me 10 vjet burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

http://kallxo.com/denohet-zeqirja-qazimi/

Me Qazimin, për pjesëmarrje në grup terrorist akuzoheshin edhe Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba.

Gjykata Themelore në Ferizaj i kishte dënuar  me 8 vjet burg Ilir Berishën e me 7 vjet e 6 muaj burg Sadat Topojanin. Ilir Krraba ishte dënua me 5 vjet burg, Burim Ballazhi 4 vjet e 6 muaj, Jetmir Kyçyku 4 vjet dhe Liridon Kabashi 3 vjet.

Ilir Berisha, Liridon Kabashi e Burim Ballazhi gjatë gjykimit kishin pranuan fajësinë.

Komunikata e Apelit sqaron se gjeti që pretendimet e prokurorisë për dënime të buta dhe ato të mbrojtjes për dënime të ashpra, janë të pabazuara.

“Nga gjykata e shkallës së parë realisht janë vlerësuar si rrethanat lehtësuese, po ashtu edhe roli i të akuzuarve dhe kontributi i tyre në kryerjen e veprave penale, për të cilat janë shpallur fajtorë,” thuhet në komunikatë.

Dosja e shkrimeve në KALLXO.com për Zeqirja Qazimin.