Vërshimet Lënë Pasoja në Pejë

Asfalti i çarë, trotuarë të dëmtuar dhe biznese në ujë janë disa nga pasojat që kanë lënë reshjet e mbrëmshme dhe të sotme në qytetin e Pejës.

Mëngjesin e 7 marsit, pejanët u zgjuan në gjendje të jashtëzakonshme. Shumica e rrugëve të lagjeve të këtij qytetit ishin të vërshuara nga sasia e madhe e ujit. Lumi “Qokolica” si gjithnjë ka rolin kryesor sa herë ka vërshime në qytetin e Pejës.

Engelbert Zefaj, zëdhënës i Komunës së Pejës, tha për KALLXO.com se pas intervenimeve të ekipeve të shpëtimit, situata për momentin është nën kontroll.

“Shtabi emergjent është angazhuar bashkë me Policinë, kompaninë “Ambienti”, kompaninë “Hidrodrini” dhe me disa vullnetarë të qytetit dhe disa kryetarë të Këshillave lokale dhe kanë filluar t’i zhbllokojnë disa pika kritike që kanë qenë me të rrezikshme. Deri në ketë moment situata është nën kontroll dhe po lirohen rrugët dhe po bëhen të qarkullueshme”, tha Zefaj,

Dy muaj më parë, kur vërshimet përmbyten disa komuna të Kosovës ndërsa Peja shpëtoi, Zefaj në profilin e tij në Facebook pati shkuar së në Pejë nuk ka më vërshime pavarësisht të reshurave ndërsa këtë ia kreditonte “qeverisjes efikase” komunale.

I pyetur për ketë çështje nga KALLXO.com, Zefaj tha këtë nivel të reshjeve të shiut nuk mund ta përballojë asnjë infrastrukturë e ndonjë komune të Kosovës.

“Para dy muajve ka pasur sasi të mëdha të reshurave, por ka qenë brenda limiteve që infrastruktura e Pejës mund t’i përballojë, dhe ne e kemi përballu shumë mirë atë situatë dhe sasi të reshurave që kanë qenë para dy muajve. Kjo e sotmja ka qenë dyfish me e madhe se ajo dhe infrastruktura e Pejës dhe e çdo qytetit tjetër të ndonjë komune të Kosovës nuk ka kapacitete ta përballojë gjithë ketë sasi të ujit”, theksoi Zefaj

Ai tha se ende nuk dihet çfarë dëme kanë shkaktuar vërshimet, po në bazë të asaj që shihet dëme ka tek bizneset dhe pronat private.

Në rrugë “Isa Demaj” të Pejës, si pasojë e vështrimeve është dëmtuar krejtësisht trotuari dhe një pjesë e asfaltit.

Në një komunikatë të Komunës së Pejës ju bëhet apel qytetarëve që gjatë mbrëmjes të kenë kujdes të shtuar sepse mund të ketë serish vërshime.

Komuna e Pejës ka vendosur që procesi mësimor të ndërpritet sot për shkak të të reshurave.