Verrat e Llukës, nga Deponi e Bërllokut në Kompleks Historik

Verrat e Llukës, vendi ku është mbajtur tubimi i pajtimit të gjaqeve në vitin 1990, pritet të pastrohet nga mbeturinat dhe të rrethohet me mure të gurit.

Ky vend historik për shqiptarët ka vite që është shndërruar në deponinë më të madhe ilegale të mbeturinave në komunën e Deçanit.

Prej pesë vitesh në këtë vend qytetarë të pandërgjegjshëm hedhin pa ndërprerë mbeturina, tha Rasim Mulaj, banor i fshatit Llukë, kur u takua me ministrin Ferid Agani dhe kryetarin e Deçanit, Rasim Selmanaj.

“Më 2010 e kemi pastruar krejt këtë shpat, i kemi ra me rini, me grabuja dhe dorë. Ky shpat ka qenë i pastruar. Këtu prej 2010-ës u bo kështu (me mbeturina)”, u tha ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe kryetarit të Komunës ky banor i fshatit Llukë.

Pikërisht sot Komuna e Deçanit dhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor nënshkruan memorandum që bashkërisht ta mbështesin financimin e një pjese të projektit gjithëpërfshirës, i cili ashtu si është projektuar nga Komuna do të kushtojë rreth 1,5 milion euro.

Pasi e nënshkroi memorandumin me ministrin Agani, kryetari Selmanaj tha se brenda 30 ditëve do fillojnë punimet për realizimin e kësaj pjese të projektit në vlerë 500 mijë euro.

“Na po shpresojmë që brenda 30 ditëve me fillu me punu. Unë mendoj që deri në majin e vitit të ardhshëm pjesa e hapësirës do të rrethohet, do të bëhet rrafshimi dhe gjelbërimi, ndërsa pjesa e trajtimit të lumit mund të shkojë pak me gjatë, mirëpo kjo do të varet se sa do mund të sigurohen fondet”, tha kreu i Komunës.

Realizimi i këtij projekti ishte ndër premtimet kryesore të kryetarit Rasim Selmanaj gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në vitin 2013. Për ketë premtim kreu i Deçanit u zotua që do ta realizojë kur ju kujtua nga Jeta Xharra në emisionin “Jeta në Komunë”.

Kurse, ministri Ferid Agani tha së është obligimi shtetëror dhe kombëtar që Kuvendit të Verrave të Llukës t’i kthehet pamja e merituar.

“E kemi obligim shtetëror dhe kombëtar që ketë hapësirë ta bimë në gjendjen e cila është në pajtim me të gjithë ato vlera të jashtëzakonshme të cilat gjeneruan në Kuvendin e Verrave të Llukës 25 vite më herët”, tha Agani.

Ministri ka shtuar së do të bëjë çmos që të sigurohen mjetet e këtij projekti të hartuar nga Komuna e Deçanit dhe shpreson që pas një viti zona do të ketë pamje krejtësisht tjetër nga kjo që ka aktualisht.

http://kallxo.com/therrat-e-llukes/