Foto: Facebook

Vërejtje për Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Komisioni për Punë të Brendshme i Kuvendit të Kosovës sot shqyrtoi raportin vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2015, të cilin e paraqiti drejtori i institucionit Ruzhdi Jashari.

Drejtori Jashari tha se ka pasur përparim në ngritjen e kapaciteteve të brendshme dhe me këtë rast përmendi trajnimet si të zyrtarëve të brendshëm ashtu edhe të atyre që janë të angazhuar jashtë.

Megjithatë, deputeti nga radhët e LDK-së, Nuredin Ibishi, ngriti çështjet që janë të ngritura edhe në Raportin e Progresit për Kosovën e që kanë të bëjnë me këtë Agjenci.

“Ka të bëjë me shtimin e stafit kualifikues që ju nuk keni arritur ta përmbushni, si dhe burimet financiare të cilat mund të thuhet se janë participime si nga të hyrat buxhetore ashtu edhe nga donacionet”, tha Ibishi.

Me këtë rast, drejtori Jashari tha se as ata nuk janë të kënaqur me stafin që kanë.

“Stafi i punësuar në Agjenci është në përputhje me organogramin e Agjencisë. Konkurse në këtë Agjenci nuk ka pasur  as këtë vit e as vitin e kaluar. Ndërkaq numri i të punësuarve nuk kënaq dhe nuk është adekuat”, tha ai.

Ndërsa, për deputeten Ganimete Musliu, nga radhët e PDK-së, shqetësuese mbetet shpërndarja e faturave të ndryshme për qytetarët  e vendit, nga të cilat mund të merren shumë të dhëna personale, pasi që nuk janë të mbyllura në zarfe.

“Edhe sot e kësaj dite faturat e ujësjellësit, mbeturinave dhe të rrymës vijnë të pazarfuara dhe thjeshtë të dhënat tona personale gjithmonë janë të ekspozuara ndaj personave që mund edhe t’i keqpërdorin këto të dhëna”, tha ajo.

Musliu tha se nuk është në rregull që çdokush t’i shohë të dhënat personale, pasi që kjo është edhe e rregulluar me ligj.

Por qasjen në dokumente personale, Jashari e konsideroi një sfide që nuk mund të tejkalohet kompetencat ligjore dhe mandatin ligjor qe ka kjo agjenci.