Vërejtje me Gojë Për Mësimdhënësen e Gjakovës

Pas ankesës së Përparim Skenderit. babait të këtij nxënësi, KALLXO.com raportoi katër ditë më parë se Ermal Skenderi nxënës i klasës së gjashtë në shkollën fillore “Emin Duraku “ po ankohet se është rrahur nga arsimtarja e tij e matematikës Leonora Doli dhe se nuk është vlerësuar ashtu siç duhet prej saj.

Nxënësi Ndërpret Mësimin, Ankohet se e Rrahu Arsimtarja

Inspektorati i Arsimit në Gjakovë rekomandoi pastaj që mësimdhënësja Doli të dalë komisionit disiplinor, ndërsa nxënësit Ermal Skenderi t’i ofrohet mësim cilësor dhe të trajtohet konform rregullave pedagogjike dhe Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Arsimtarja e Dyshuar për Rrahje të Nxënësit Del Sot Para Komisionit Disiplinor

Flutura Këpuska, zyrtare në Drejtorinë e Arsimit në Gjakovë dhe anëtare e komisionit tha për KALLXO.com se ky komision nuk ka gjetur prova që dëshmojnë të ketë pasur dhunë fizike apo keqtrajtim ndaj nxënësit Skenderi.

“Ne si komision disiplinor në mbledhjen që është mbajtur me datën 20 të parit, nuk kemi gjetur ndonjë provë të cilat e dëshmojnë atë deklaratë në fjalë,” tha Këpuska.

Megjithatë, Këpuska tregoi se mësimdhënësja Doli mori vërejtje për notim të gabuar të nxënësit.

“Komisioni pranë DKA-së ka marrë një vendim lidhur me këtë mësimdhënëse. I ka dhënë një masë disiplinore ‘vërejtje me gojë’. Si arsyetim ka qenë se vlerësimi apo notimi i këtij nxënësi është bërë në formë të gabuar sipas komisionit,” tha Këpuska.

Ky komision i ka dhënë edhe disa rekomandime Albert Zajmit, drejtorit të shkollës “Emin Duraku” në Gjakovë.

“Gjithashtu i rekomandohet edhe drejtorit të shkollës që mësimdhënëses në fjalë t’i ndërrohet klasa, le të kalojë në një klasë tjetër dhe të zëvendësohet me një mësimdhënës,” shpjegoi Këpuska.

Mësimdhënësja Doli kishte mohuar kategorikisht kur qe kontaktuar nga KALLXO.com se ka ushtruar dhunë ndaj nxënësve.

KALLXO.com kishte raportuar për rastin në fjalë ditë më parë, para çdo raportimi është kontaktuar arsimtarja Doli e cila katëgorikisht mohon të ketë ushtruar dhunë ndaj nxënësve.