Objekti i Komunës së Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Vërejtja e Fundit për Menaxheren e Prokurimit

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) i ka shqiptuar vërejtjen e fundit Albana Bakallit, menaxheres së prokurimit në këtë komunë.

“KRPP-ja ia shqipton vërejtjen e fundit zyrtares përgjegjëse të prokurimit pranë autoritetit kontraktues Kuvendi Komunal Gjakovë për mosrespektim të dispozitave të ligjit të LPP-së dhe në rast të përsëritjes së rasteve të njëjta do të iniciojë procedurën për marrjen e certifikatës së prokurimit,” thuhet në vërejtjen e publikuar në faqen zyrtare të KRPP-së.

Vërejtja e Departamentit të Monitorimit të KRPP-së iu shqiptua menaxheres Bakalli për aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi dhe Sanimi i Trotuareve, Rrugëve me Kubëza Betoni dhe Graniti“ i cili u monitorua nga ky departament.

“Nga shqyrtimi i dëshmive të ofruara, KRPP-ja konstaton se shtatë (7) nga tetë (8) operatorët ekonomikë kanë ofruar çmime jonormalisht të ulëta ndërsa njëri nga operatorët ekonomikë ka tejkaluar vlerën e parashikuar të kontratës,“ thuhet në vërejtjen  e KRPP-së.

Më tej KRPP-ja thotë se Komuna e Gjakovës ka bërë shkelje pasi oferta e operatorit ekonomik fitues është e papërgjegjshme, ngase nuk ka mundur t’i arsyetojë çmimet jonormalisht të ulëta.

Menaxherja Albana Bakalli thotë për KALLXO.com se asnjëherë më parë për këtë tender, por as për tenderë tjerë nuk ka pasur vërejtje nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP).

“Lidhur me këtë tender, nuk kemi pasur ndonjë vërejtje paraprake,” thotë ajo.

Bakalli vërejtjen e konsideron të panevojshme.

“Komuna e Gjakovës është përpjekur në maksimum që vlerësimin e tenderit të lartpërmendur ta bëjë në përputhshmëri të plotë me ligjin në fuqi, kështu që edhe përzgjedhja e operatorëve ekonomikë është bërë konmfor rregullave dhe ligjit në fuqi. Duke i pasur parasysh këto, konsiderojmë se kjo vërejtje është e panevojshme,” thotë zyrtarja e prokurimit Albana Bakalli.

KRPP-ja në vërejtje i rekomandon Komunës së Gjakovës anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

“KRPP-ja duke i pasur parasysh të gjitha këto që u thanë me lart rekomandon anulimin e aktivitetit të prokurimit ‘Ndërtimi dhe Sanimi i Rrugëve, Trotuareve me Kubëza Betoni e Graniti’ me numër të prokurimit 632 16 022 511,” thuhet në vërejtjen e KRPP-së.

Komuna e Gjakovës ka zbatuar rekomandimin e KRPP-së.

“Anulimi është bërë menjëherë pas kësaj vërejtjeje,” thotë zyrtarja e prokurimit Albana Bakalli.

Bazuar në kompetencat që ia jep Ligji i Prokurimit Publik KRPP-së, ky institucion ka kompetenca, autoritet dhe përgjegjësi për të vëzhguar dhe mbikëqyrur të gjitha aktivitetet e prokurimit në baza të rregullta apo sipas rastit, me vetiniciativë ose me kërkesë, kur dyshohet se janë bërë shkelje të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik.