Veprim i çuditshëm i Haradinajt, falënderon zëvendësministrin e dënuar për korrupsion

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë një veprim të çuditshëm.

Ai ka falenderuar për punën një zëvendësministër të tij, i cili është dënuar me burgim me kusht nga Gjykata e Prizrenit.

Fjala është për zëvendësministrin e Administratës Publike, Bujar Nerjovaj, i cili vjen nga partia e shefit të Qeverisë, AAK.

Mirëpo, kryeministri nuk e kishte falenderuar në të njëjtën mënyrë ish-zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena.

Ish-zëvendësministri Cena vjen po ashtu nga AAK-ja e kryeministrit.

Ai ishte arrestuar në tetor të vitit të kaluar për ryshfet.

Sot, zëvendësministri në Administratën Publike, Bujar Nerjovaj ka kërkuar që të lirohet nga detyra pasi Gjykata Themelore në Prizren e dënoi atë ditë më parë me dënim me burgim me kusht.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, vetë zëvendës ministri tha se të ketë kërkuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj që ta liroj atë nga deyra.

“Pasi që gjykata themelore në Prizren me datë 03.06.2019 mori një aktvendim dënues në çështjen time , unë sot mora një vendim personal dhe kërkova nga Kryeministri i Kosovës z. Ramush Haradinaj që të më liroj nga posti i zëvendës ministrit të Administratës Publike të Kosovës. Edhe pse vendimi i gjykatës nuk e ndalonte ushtrimin e detyrës së tanishme nga ana ime, ofrimi i dorëheqjes sime është i karakterit moral dhe për të treguar respektin tim të thellë ndaj Kryeminstrit të Kosovës  z. Ramush Haradinaj dhe Qeverisë  së Kosovës, organeve të drejtësisë së vendit tim dhe proceseve në të cilat ndodhet vendi im dhe si një praktikë e mirë për t`u përballur në vazhdim i pa ndikuar në procesin e mëtutjeshëm për kërkimin e pafajësinë time”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri Haradinaj.

“Sot kam liruar nga detyra Zv/ Ministrin e Administratës Publike Z. Bujar Nerjovaj. Lirimi bëhet me kërkesë të tij me qëllim të vazhdimit të procesit gjyqësor. E falënderoj Zv/ Ministrin Nerjovaj për punën dhe kontributin në Ministrinë e Administratës Publike”, shkroi Haradinaj.

Ndryshe, zëvendësministri i Administratës Publike, Bujar Nerjovaj, është shpallur fajtor të hënën nga Gjykata në Prizren në akuzën për të cilat ngarkohej nga Prokuroria.

Trupi gjykues e shpalli fajtor atë dhe e dënoi me dënim me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajsh. Dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti ai nuk kryen vepër penale.

Nerjovaj akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare për 4 objekte hoteliere që gjenden të gjitha në Zonën Historike të Prizrenit, respektivisht në Shadërvan gjatë kohës sa ishte drejtor i Drejtorisë së Inspektorateve në komunën e Prizrenit.

 

https://kallxo.com/video-denohet-zevendes-ministri-i-haradinajt/

.