Monumenti i Skenderbeut në Tiranë, Foto: Balkan Insight/Wikimedia Commons/Fickr/PredragBubalo

Vendosja e monumentit të Skenderbeut në Ulqin nxit debat në Mal të Zi

Njoftimi se një monument kushtuar heroit historik shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbeut do të ndërtohet në Malin e Zi ka hapur përsëri një debat në vend rreth origjinës së tij.

Partitë politike shqiptare në Malin e Zi të mërkurën akuzuan aleancën pro-serbe të Frontit Demokratik për ‘pretendimin’ e tyre të pabazë se heroi kombëtar shqiptar Skënderbeu ishte serb.

Reagimi i tyre erdhi pasi Fronti Demokratik mirëpriti një nismë nga autoritetet lokale në qytetin shumicë shqiptare të Ulqinit për të ndërtuar një monument të Skënderbeut, duke thënë se ai ishte një “hero i madh dhe i famshëm – një serb i lindur”.

Një zyrtar nga Alternativa Shqiptare, Nik Gjeloshaj, tha se kjo ishte “një mit i krijuar nga Akademia Serbe e Shkencës dhe Arteve”.

“Dhe për Skënderbeun jo vetëm që serbët e duan atë, por edhe grekët dhe bullgarët. Jo vetëm ai, por edhe Nënë Tereza dhe figurat e tjera të njohura shqiptare “, tha Gjeloshaj për gazetën malazeze ‘Vijesti’.

Duke e konsideruar një udhëheqës heroik të rezistencës ndaj osmanëve në Shqipëri, Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu, u rekrutua fëmijë në Ushtrinë Osmane, duke u shërbyer sulltanëve me besnikëri dhe duke e pranuar Islamin.

Por në vitin 1443, ai ‘dezertoi’ nga forcat osmane dhe u kthye në Krujë. Nga kjo bazë, ai bashkoi princërit shqiptarë që ziheshin me njëri tjetrin nën flamurin e tij dhe luftoi kundër pushtimit osman  deri në vdekjen e tij nga malaria më 1468.

Veprat ushtarake të Skënderbeut kundër turqve i dhanë atij admirimin e përzemërt të Papëve dhe shumë sundimtarëve të tjerë në Perëndim. Por admirimi i tyre ishte rrallë herë i mbështetur nga paratë e gatshme, gjë që pengonte aftësinë e tij për t’i dhënë turqve një goditje nokauti.

Pas vdekjes së tij, shqiptarët u ndanë dhe osmanët shpejt e kapërcenin vendin. Megjithatë, kujtimi për Skënderbeun ka jetuar, me gjithë faktin se shumica e shqiptarëve ishin konvertuar në Islam, një besim që ai e refuzoi me vendosmëri.

Stema e tij, shqiponja perandorake me dy kokë, mbetet simbol i shqiptarëve edhe sot.

Disa organizata dhe parti serbe gjatë viteve kanë cituar hulumtimet e historianëve lokalë rreth origjinës së Skënderbeut, e cila pohon se ai kishte një prejardhje sllave dhe se nëna e tij ishte serbe.

Këto pjesë të hulumtimit, ndonëse kritikuar ashpër nga historianët malazezë dhe shqiptarë, pohojnë gjithashtu se emri i parë i Skënderbeut nuk ishte Gjergj por Gjuragj, i cili ishte një emër sllav nga ajo periudhë.

Iniciativa për të ndërtuar një monument të Skënderbeut në një qytet tjetër shqiptar, në Tuz, pranë kryeqytetit Podgorica, nxiti gjithashtu një debat të ashpër në muajin prill.

Ndërsa partitë shqiptare mbrojtën iniciativën duke thënë se Skënderbeu është heroi kombëtar i të gjithë shqiptarëve që do të shënojnë 550 vjetorin e vdekjes këtë vit, organizatat pro-serbe dhe disa historianë lokalë thanë se monumenti mund të shihet si “shënim i territorit shqiptar” brenda Malit të Zi.

Autoritetet lokale në Ulqin thanë se diaspora shqiptare do të financojë ndërtimin e monumentit. Ata thanë se dizajni ka përfunduar plotësisht dhe qeveria lokale ka marrë leje nga Ministria e Kulturës për monumentin.