KQZ. Foto: Kallxo.com

Vendoset të Rinumërohen 440 Kuti të Votimit

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka treguar se pas vendimit të PZAP-it do të rinumërohen 440 kuti votimi.

“Dje kemi pranuar vendime të PZAP-it, me ankesa të kandidatëve. Si pasojë e këtyre vendimeve sot duhet t’i rinumërojmë 440 kuti, ku PZAP-i ka gjetur se ka arsye të pranimit të ankesave të këtyre kandidatëve”, tha Daka.

Sipas saj, janë 70 kuti që veç janë rinumëruar me vendim të KQZ-së.

“Është për keqardhje që PZAP-i nuk e ka shiqu listën me kutitë e rinumëruara dhe nuk mund të prodhohet rezultat i ri”, shtoi Daka.

Anëtarët e tjerë të komisionit kanë thënë se janë për t’u numëruar kutitë në tërësi, e jo veç për kandidatët që kanë bërë ankesë.

Betim Gjoshi, anëtar i KQZ-së, tha se edhe pse janë rinumëruar ato 70 kuti, do të donte që sërish të rinumërohen.

“440 kuti që na ka sjellë PZAP-i, edhe ato që janë rinumëruar kisha dashtë me marrë vendim me i rinumëruar”, tha Gjoshi.

Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së, sikurse Daka, tha se rezultati i ndryshimit edhe nëse numërohen ka me qenë zero, ndërsa kostoja që do t’i kushtojë shtetit do të jetë e madhe.

“Ato 440 kuti le të rinumërohen, po është qesharake që PZAP-i edhe pse ka marrë shkresën prapë i fut në rinumërim”, tha Hamiti.

Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së, kërkoi që rinumërimet të jenë të tërësishme, e jo veç për kandidatët ankues.

“Rinumërimet të jenë të tërësishme edhe pse ankesat janë të kandidatëve veç e veç. Të rinumërohen edhe 70 kutitë e rinumëruara dhe QNR-ja të na sjellë rezultat në rast të mospërputhjeve”, tha ai.

Ndërsa Daka shtoi se në rast se ka mospërputhje duhet të merren masa.

Ndryshe, në këtë mbledhje u kërkua që në rinumërim të jenë pjesëmarrës edhe kandidatët ankues, pasi ata kanë të drejtë të vëzhgojnë.

KALLXO.com ka shkruar edhe për rinumërime tjera të votave pas zgjedhjeve lokale.