Vendimi i Supremes për ish-Eprorët e UÇK-së

Gjykata Supreme ka marrë vendim për të gjitha ankesat e avokatëve mbrojtës për të akuzuarit e grupit “Drenica I”.

Supremja e ka vërtetuar dënimin e Gjykatës së Apelit për dënim me burgim prej 5 vjetësh për Jahir Demakun si dhe ka shqiptuar dënimin e ndryshuar prej 8 vjet për Sylejman Selimin.

“Dënimi i shqiptuar nga Gjykata e Apelit në lidhje me pikën IV (rrahja e një personi të paidentifikuar nga rajoni i Shipolit) ishte vërtetuar përkitazi me Sylejman Selimin dhe Jahir Demakun. Rrjedhimisht, Sylejman Selimit i ishte shqiptuar dënimi i ndryshuar prej 8 (tetë) vjet, ndërsa ishte vërtetuar dënimi i mëparshëm i të pandehurit Jahir Demaku prej 5 (pesë) vjet burgim”, thuhet në Komunikatën e lëshuar nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Lushtaku e Selimi janë shpall të pafajshëm sa i përket pikave të aktakuzës për përgjegjësi komanduese, për të cilat Gjykata e Apelit e kishte shpallur fajtor. Kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së provave të mjaftueshme të cilat do ta vërtetonin përgjegjësinë komanduese të Selimit e Lushtakut.

“Trupi gjykues nuk ka gjetur prova të mjaftueshme që e provojnë përtej dyshimit të bazuar përgjegjësinë komanduese të Sami Lushatkut dhe Sylejman Selimit mbi qendrën e ndalimit në Likoc”, thuhet në komunikatën e Supremes.

Tutje në komunikatë shpjegohet edhe arsyeja e lirimit të Lushtakut. Më 3 korrik të këtij viti, avokati i Lushtakut, Arianit Koci, kishte pranuar vendimin e Supremes përmes së cilës Lushtakut iu ndërpre masa e paraburgimit menjëherë.

“Në lidhje me ankesat në shkallë të tretë, trupi gjykues e liroi Sami Lushtakun nga të gjitha pikat e akuzës, kjo ishte arsyeja që masa e paraburgimit kundër tij ishte ndërprerë disa javë më pare”, thuhet në Komunikatë.

Më 20 qershor të këtij viti ishte mbajtur seanca para trupit gjykues të Gjykatës Supreme i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtar dhe një vendor, me ç‘ rast edhe kishin elaboruar avokatët ankesat e tyre për aktgjykimin e shkallës së dytë.

Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit ia bashkoi Sylejman Selimit dënimet nga grupet “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, duke e dënuar me 10 vjet burg, ndërsa Sami Lushtaku nga Apeli u dënua me 7 vjet burg. Edhe Jahir Demaku u dënua si Lushtaku me 7 vjet burg, për të dy rastet.