Vendimi për kontestin e Katedrales 'Nëna Terezë' me Komunën e Prishtinës (DOKUMENT)

Më herët gjatë ditës, KALLXO.com ka raportuar se ka filluar shembja e objektit i cili ishte duke u ndërtuar pranë Katedrales “Nëna Terezë”.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me kontestin e Komunës së Prishtinës dhe Administrata Apostolike.

Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e paditësit – Administrata Apostolike me seli në Prizren kundër të paditurës – Komuna e Prishtinës dhe ndërhyrësit në anën e të paditurës, Ndërmarrja Publike Banesore, për vërtetimin e të drejtës së shfrytëzimit dhe kompensimit të siperfaqes së munguar, vlera e kontestit 850 mijë euro.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinës të datës 21 korrik 2015 është aprovuar pjesërisht si e bazuar kërkesëpadia e paditësit dhe është vëretuar se paditësi është bartësi i të drejtës së shfrytëzimit afatgjatë tokës me sipërfaqe 7655 metra katrorë në bazë të kontratës të datës 2 korrik 2007, të lidhur me Komunën e Prishtinës.

Po ashtu është vërtetuar se paditësi është shfrytëzuesi faktik i sipërfaqes 7655 metra katrorë, e cila kufizohet nga ana veriperendimore dhe perendimore me rrugën “Perandori Justinian”, nga ana lindore me rrugën Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe nga ana jugore me rrugën “Bill Clinton”.

Vendimi i Gjykatës e ka obliguar Komunën e Prishtinës që ta pranojë si shfrytëzues faktik Administratën Apostolike me seli në Prizren të kësaj siperfaqe. Po ashtu edhe t’ia lejojë regjistrimin e palujtshmërisë me matjet gjeodezike në regjistrin kadastral, si shfrytëzues afatgjatë.

Kundër vendimit të Gjykatës Themelore ishin ankuar të dyja palët, paditësi – Administrata Apostolike me seli në Prizren dhe e paditura – Komuna e Prishtinës.

Gjykata e Apelit më 15 shkurt 2018 e kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore.

Të dyja palët janë ndarë të pakënaqura dhe janë ankuar kundër vendimit të Apelit.

Gjykata Supreme e Kosovës pasi ka shqyrtuar aktgjykimin e kontestuar ka gjetur se ankesat e palëve janë të pabazuara.

Vendimin e Gjykatës Supreme mund ta lexoni në këtë link.

Administrata Apostolike fillimisht kishte kërkuar që Komuna e Prishtinës të respektojë kontratën që e kishte nënshkruar në vitin 2007. Administrata Apostolike kishte kërkuar edhe 5345 metra katrorë, sipërfaqe e cila i mungonte. Sipas kontratës së nënshkruar, në sipërfaqen të cilën do ta shfrytëzonte Administrata Apostolike ndodhej edhe Ministria e Financave, objekti i Elektrokosovës-Distribucioni (tash objekti ku ndodhet KEDS), rruga publike – sheshi Bill Clinton.

Për shkak se rrugët, trotuaret e intitucione të tjera janë në të mirë të përgjithshme, Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Administratës Apostolike pasi ka vlerësuar se kjo pjesë e kontratës nuk prodhon efekt juridik. Në aktgjykim thuhet se Komuna e Prishtinës nuk e ka pasur të drejtën për të disponuar lirisht në patundshmërinë në të cilën gjenden rrugët, trotuaret, institucionet publike të cilat konsiderohen si të mira të rëndësisë së veçantë. Por njëjtë nuk ka vendosur Gjykata sa i përket lokaleve afariste që janë ndërtuar pranë Katedrales. Pas vendimit të Gjykatës Supreme, sot ka filluar edhe rrënimi i tyre.

Kontesti mes Administratës Apostolike dhe Komunës së Prishtinës kishte filluar kur edhe pse ekzistonte vendimi i Kuvendit Komunal për ndërtimin e Katedrales, Komuna e Prishtinës në vitin 2005 e kishte hartuar planin rregullativ, lagjja Pejton dhe Qendra 2.

“Kështu për shkak të mos përputhjes së gjendjes faktike në teren ka ardhur deri te shkaktimi i kontestit”, vazhdon vendimi.

Në hapësirën ku është ndërtuar Katedralja “Nëna Terezë” më herët ka qenë gjimnazi “Xhevdet Doda”. Nga kontrata e nënshkruar në vitin 2oo7, Administrata Apostolike ka marrë për obligim që ta ndërtojë objektin e gjimnazit “Xhevdet Doda”, në vlerë prej 850 mijë euro, në një lokacion tjetër. Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme thuhet se Administrata Apostolike e ka kryer obligimin e saj të cilin e ka pasur me kontratë.

https://kallxo.com/fillon-shembja-e-objektit-prane-katerdales-nena-tereze-video/

.