Vendimi Ndaj Ivanoviqit dhe të Tjerëve, të Hënën

Vendimi në gjykimin ndaj Oliver Ivanoviqit dhe katër serbëve të tjerë, të cilët po gjykohen në Gjykatën Themelore të Mitrovicës nën akuzën për krime lufte, do të shpallet më 18 janar të këtij viti.

Datën e vendimit nëse të akuzuarit do të dënohen ose të lirohen nga akuzat e ka konfirmuar për KALLXO.com avokati i Oliver Ivanoviqit, Nebojsha Vllaiq.

“Po, ju njoftoj se është caktuar data e vendimit ndaj klientit tim dhe katër të tjerëve. Vendimi do të shpallet ditën e hënë në seancën që nis në ora 09:30 të mëngjesit” ka thënë ai.

Procesi gjyqësor në fjalë ka filluar më 26 gusht 2014.

http://kallxo.com/avokati-i-oliver-ivanoviqit-jep-fjalen-perfundimtare/

Oliver Ivanoviqi akuzohet të ketë urdhëruar kryerjen e krimeve të luftës gjatë vitit 1999.

Bashkë me ish-policin serb, Dragolub Delibashiq, ai akuzohet edhe të ketë kryer vrasje gjatë përleshjeve, të cilat lanë 10 shqiptarë të vrarë dhe shumë të plagosur në shkurt të vitit 2000.

Tre të akuzuar tjerë, Ilija Vujaçiq, Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviq, akuzohen për vrasje dhe tentim vrasje në shkurt të vitit 2000.