Vendimi i Apelit - Adem Grabovci dhe të tjerët do të gjykohen për rastin ‘Pronto’

Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e avokatëve për hudhje të aktakuzës në rastin e njohur si “Pronto”.

“Gjykata e Apelit, i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, për të akuzuarit  A. G., Z. P., N. K., B. B., I. N., S. G. , F. Sh., R. A. ,A. P. dhe Xh. D. Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i  datës  05.03.2019, ka mbetur në fuqi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona, ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

“Sipas aktakuzës së prokurorisë, të gjithë këta po akuzohen se në formë të bashkëpunimit- bashkëkryerjes, kanë kryer veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” nga neni 193 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Apelit.

Sipas vendimit të Apelit, ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme për të vazhduar tutje gjykimi.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme  për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar  mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se  drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata e as nga palët”, thuhet në fund të njoftimit.

 

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin e njohur si “Pronto”.

Adem Grabovci do gjykohet nga krimet e rënda(Pronto)

.