Komuna e Prizrenit | Foto: KALLXO.com

Vendet ku mund t'i pajiseni me dokumentacion në Komunën e Prizrenit

Drejtoria e Administratës në Prizren nga sot do të vendoset në katër lokacione të ndryshme për shkak të lirimit të hapësirës për realizimin e projektit “One Stop Shop” (Qendra me një ndalesë).

Drejtori i Drejtorisë së Administratës, Osman Hajdari, gjatë javës së kaluar ka njoftuar se shërbimet që do të zhvendosen janë të gjitha ato shërbime që tashmë gjenden në katin e parë të objektit të administratës komunale.

Sipas drejtorit Hajdari, zhvendosja e shërbimeve po bëhet detyrimisht për shkak të nevojës për ta liruar hapësirën ku do të zhvillohen punimet e projektit “One Stop Shop”, ndërsa gjatë kësaj periudhe transitore, Komuna do të jetë e përkushtuar që të ofrojë shërbime me efikasitet të njëjtë.

“Në sallën e sporteve të shkollës SHML “Remzi Ademaj” do të zhvendosen: zyra e gjendjes civile (ofiqaria) dhe zyra pritëse. Në objektin e Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa (përballë postës) do të zhvendosen: sektori i mbeturinave, taksat rrugore, taksat komunale, tatimi në pronë. Në Qendrën për Punë Sociale do të zhvendosen: Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe zyra për Komunitete dhe Kthim.  Në objektin ku gjendet punëtoria e filigranit (ish-Turist Kosova) do të zhvendoset:Drejtoria e Inspektorateve”, thuhet në njoftimin e komunës.

Sipas komunës, zhvendosja e këtyre shërbimeve do të fillojë me ato tek objekti i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa.

Përveç zhvendosjeve në këto katër lokacione komuna ka paraparë që pranë shkollës “Remzi Ademaj” të vendoset edhe një e-kiosk, i cili është rifunksionalizuar, derisa në dispozicion do të mbetet edhe e-kiosku që gjendet pranë objektit të administratës komunale.