FOTO ILUSTRIM PROKURIMI

Vendet e Ballkanit Perëndimor Jotransparente në Prokurim Publik

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e përformancës në prokurim publik për vendet në Ballkanin Perëndimor.

Ikja nga transparenca në procedura të prokurimit, vonesat në zbatimin e kontratave janë gjetjet e këtij raporti.

Sipas këtij raporti të projektit regjional, u konkludua se duhet të përmirësohet planifikimi në prokurim dhe monitorimi.

Projekti që kishte në fokus auditimin e prokurimit publik si fushë e ndjeshme ndaj mashtrimit dhe korrupsionit, tregon se autoritetet kontraktuese u ikin procedurave të hapura të prokurimit dhe kanë vonesa

“Indikatorët e problemit në fushën e prokurimit, të siguruara nga mediat dhe hulumtimet tjera, tregojnë për një prirje të autoriteteve kontraktuese drejt procedurave të negociuara, në vend të procedurave të hapura, të cilat janë më pak transparente dhe më pak ekonomike. Pastaj ka anulime të shumta të kontratave, vonesa në zbatimin e kontratave dhe probleme tjera që shkaktohen nga procedura jo të mirëfillta të prokurimit”, Thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së, raporti i publikuar është një sintezë e gjetjeve dhe konkluzioneve kryesore që kanë dalë nga auditimi paralel dhe ka për qëllim të nxisë të kuptuarit e problemeve me të cilat përballen vendet e regjionit në fushën e prokurimit publik dhe bashkëpunimit regjional në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Përmirësimi i fazës së planifikimit dhe monitorimit janë konkluzionet e dala nga ky raport

“Konkluzioni i përgjithshëm që rezultoi nga auditimi paralel në fushën e prokurimit publik është se përmirësimi i fazës së planifikimit dhe përmirësimi i monitorimit mund të shtrojë themelet për një prokurim publik më efikas dhe më ekonomik”, thotë auditori.

Tutje në njoftimin thuhet se projekti i auditimit paralel, përveç masave të rekomanduara për përmirësim në fushën e prokurimit, lidhet me përmirësimin e mëtejmë të diturisë në auditim të performancës dhe rrjetit rajonal që është krijuar mes pjesëmarrësve.

Projekti regjional i auditimit të performancës ku mori pjesë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës është mbështetur nga Gjykata Evropiane e Auditorëve së bashku me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë.