Pamje nga seanca e gjykimit Bajram Pajazitit dhe Bajram Azemit, zyrtarë të MPMS-së - Foto: KALLXO.com

Vëllai i Zahir Pajazitit pa Avokat në Seancën e Sotme

Avokati Bejtush Isufi mungoi në seancën e gjykimit ku për dhënie të paligjshme të pensionit të dëshmorit po akuzohen Bajram Pajaziti e Bajram Azemi.

Në këtë proces Bejtush Isufi mbron Bajram Pajazitin i cili është vëllai i heroit Zahir Pajaziti.

Bajram Pajaziti tha sot në gjykatë se avokati i tij Bejtush Isufi për arsye personale ndodhet jashtë vendit, ndërsa tregoi se do ta vazhdojë pa të seancën e sotme.

Pastaj u dha fjala përfundimtare e palëve.

Bajram Pajaziti që në cilësinë e drejtorit në Departamentin për Familjet e Dëshmorëve Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile të Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale akuzohet për shpërdorim detyre, e deklaroi veten, por edhe të akuzuarin tjetër-Bajram Azemin të pafajshëm.

“Ne jemi të pafajshëm, nuk kemi kryer vepër penale dhe asnjë shkelje, meqenëse ne palën nuk e kemi njohur dhe as nuk kemi pasur kurrfarë interesi për ta dëmtuar buxhetin e shtetit”, tha Pajaziti.

Pajaziti e Azemi ngarkohen se ia mundësuan Rexhep Haxhës pensionin e familjes së dëshmorit për djalin e tij Bahri Haxha që u vra në maj të vitit 1999, edhe pse për Haxhën familja e tij nuk kishte dokument të TMK-së, i cili ishte i nevojshëm për t’u lëshuar pensioni i dëshmorit.

Prokuroria pretendon se buxheti i shtetit është dëmtuar me këtë pension për 13,900,98 euro.

Prokurorja Dulina Hamiti në fjalën e saj përfundimtare kërkoi që gjykata t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë Bajram Pajazitin e Bajram Azemin.

“Konsiderojmë se nga administrimi i provave nga shqyrtimi gjyqësor, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale si ne aktakuzë – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar. I propozoj trupit gjykues që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe të njëjtit t’i dënojë sipas ligjit”, tha prokurorja Hamiti.

Valon Hasani, avokati i Bajram Azemit tha se Rexhep Haxha aplikoi për pensionin e familjes së dëshmorit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në kohën kur TMK-ja ia kishte lënë vendin FSK-së, prandaj nuk mund t’i siguronte dokumentet e TMK-së.

“Aplikuesi ka paraqitur kërkesën e tij pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe në momentin kur është paraqitur kërkesa ka qenë e pamundur të sigurohen dokumentet.

Avokati Hasani tregoi se çfarë dokumente paraqiti aplikuesi Haxha.

“Aplikuesi ka paraqitur katër dëshmi se si është vrarë i biri Bahri Haxha, i biri i Rexhep Haxhës, i cili në atë kohë ka qenë i varrosur në varrezat e dëshmorëve”, tha avokati Hasani.

Bajram Azemi që po akuzohet në cilësinë e kryesuesit të Departamentit për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile të Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale, tha se vërtetimi për pension të familjes së dëshmorit mund të nxirrej edhe në shoqatat e dala nga lufta.

“Kur është fjala te neni 15 i ligjit 02/L-2, ku përveç vërtetimit nga Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së parashihet edhe mundësia që ky vërtetim të nxirret edhe nga shoqatat e dala nga lufta. Ne e kemi përmbushur këtë kusht duke marrë deklaratat e katër komandantëve te zonave dhe jemi konsultuar me Zyrën Ligjore të Ministrisë së Drejtësisë”, tha i akuzuari Azemi.

Vendimin për të akuzuarit Bajram Pajaziti e Bajram Azemi gjykata pritet ta marrë të enjten.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/vellai-heroit-zahir-pajaziti-deklarohet-pafajshem/

http://kallxo.com/nis-gjyqi-per-dallaveret-pensionet-e-familjeve-te-deshmoreve/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri