Zyrtarët më të lartë të LDK-së bëjnë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova – Foto: Facebook

Veliu: Duhet Marrë Shembull Politika e Rugovës

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu në akademinë përkujtimore kushtuar 12 vjetorit të vdekjes së ish- presidentit Ibrahim Rugova tha se ata që po udhëheqin tani duhet të marrin shembull nga përvoja politike e Rugovës.

“Bota demokratike e ka personifikuar Kosovën në gati dy dekada me këtë burrështetas që i dha shumë Kosovës dhe nuk i mori asgjë. Në kohën e sotme Kosova ka shumë nevojë që të mësojë nga përvoja politike e presidentit historik i cili gjithmonë i vendoste interesat e popullit në rend të parë, për dallim nga këta të sotmit që po rrezikojnë shtetin për interesat e tyre personale”, tha Veliu.

Ai shtoi se bota demokratike e ka çmuar rezistencën që drejtoi Rugova.

“Kultura demokratike që kultivoi ai në Kosovë është model i përmasave globale, diskursi i tij politik ishte pozitiv, afirmativ, demokratik dhe largpamës. Ai nuk merrej me kritika dhe gjëra të vogla sepse përkushtimin e kishte në punë të mëdha”, shtoi Veliu.

Sipas tij janar i vitit 2006 ishte muaji ku populli shqiptar dhe LDK mbeti pa liderin vizionar, të një rruge për liri, pavarësi dhe demokraci.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në ‘Facebook’, ka shkruar se kujtimi për Rugovën do të jetë i përjetshëm.

“I përjetshëm do të jetë kujtimi dhe nderimi për Arkitektin e Pavarësisë së Kosovës, Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova!”, ka shkruar Mustafa.

http://kallxo.com/isa-mustafa-nje-mesazh-te-shkurter-e-kujton-rugoven/

Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore.

Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut.

Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.