Vdes zëri i UÇK-së nga Dukagjini, Fetnete Ramosaj

Fetnete Ramosaj ish ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka vdekur sot.

Lajmin për vdekjen e saj e ka bërë të ditur, Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili të ndjerën e ka konsideruar si zë i ndërgjegjes së popullit Kosovar.

“I rëndë lajmi për humbjen tënde, Fetnete. Ishe zëri i ushtrisë në luftë, penda e historisë sonë pas luftës. Zë i ndërgjegjës së popullit tonë. Krenar që të njoha, luftuam e punuam bashkë. Lamtumirë!”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Fetnete Ramsoaj u lind në Deçan në vitin 1972. Që nga viti 1989 ishte pjesëtare aktive e lëvizjes ilegale dhe asaj gjithë popullore në Kosovë.

Ka qenë pjesëmarrëse aktive në luftën çlirimtare, si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), veç tjerash, ka kryer detyrën e Zëdhënëses së UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit.

Në vitin 2016 për të treguar krimet që ka bërë Serbia në Kosovë, Fitnete Ramosaj ka organizuar një ekspozite të fotografive, të cilën e ka quajtur “Terrori Dhe Gjenocidi i Serbisë në Kosovë” në të cilën nuk përfshihen vetëm krimet e luftës së fundit, por terrori i serbëve ndaj shqiptarëve ndër vite.