Departamenti për kontrollim të misioneve në NASA.

Vdes drejtuesi i parë i misioneve në NASA

Chris Kraft, krijuesi dhe lideri i departamentit të Kontrollit të Misioneve në NASA, ka vdekur më 22 korrik në Hjuston, vetëm dy ditë pas përvjetorit të 50-të, të zbritjes së parë të njeriut në Hënë.

Ai ka qenë 95-vjeçar, ka raportuar agjencia e lajmeve, Associated Press.

Si udhëheqës i departamentit për kontrollim të misioneve, ai ka krijuar një sistem që ka treguar se si duhet drejtuar fluturimet në hapësirë, në kohën e rivalitetit mes Shteteve të Bashkuara dhe ish-Bashkimit Sovjetik.

Kraft është përfshirë në një varg misionesh, përfshirë ato që kanë nisur njerëz në Hënë.

Më 2011, NASA ka emërtuar ndërtesën për drejtim të misioneve hapësinore në Hjuston sipas emrit të Kraft-it.