Foto: Ilustrim

Vdes 90 Vjeçari në Aksident Trafiku

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani tha për KALLXO.com se një 90 vjeçar ka vdekur në një aksident në të cilin kanë qenë të përfshira dy vetura.

Hashani tha se aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 13:00.

“Policia e Kosovës është njoftuar se sot në orën 13:00 ka ndodhur një aksident me lëndime të rënda në fshatin Kllokot. Njësitet e policisë kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para është konstatuar se një veturë nuk i është përshtatur shpejtësisë dhe me këtë rast ka goditur një veturë tjetër nga pas”, ka thënë Hashani për KALLXO.com

“Një 90 vjeçar i cili gjendej në njërën nga veturat ka qenë i lënduar rëndë dhe nga lëndimet ka vdekur”, shtoi Hashani.

Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozharan.

Dy të tjerë të lënduar janë dërguar në QKUK ku gjendja e tyre tani është stabile.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion.