Vdes 82 vjeçari i dyshuar për keqpërdorim seksual që pritej të ekstradohej në ShBA

I paraburgosuri Ramiz Bardoniq, 82 vjeçar ka vdekur sot pasi  vuante nga disa sëmundje.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se i njëjti ka vdekur sot rreth orës 14.

“R. B, me rekomandim të mjekut të Q.K Dubravë me datë 30 qershor rreth orës 23:00 është udhëzuar të dërgohet në Spitalin Rajonal të Pejës, dhe nga aty për shkak të gjendje jo të mirë shëndetësore  është dërguar në Kliniken e Neurologjisë të SHSKUK-së, ku si pasojë e komplikimeve shëndetësore ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

82 vjeçari po mbahej në paraburgim për shkak se i njëjti akuzohej për veprën penale keqpërdorim seksual ku edhe po mbante masën në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Sipas burimeve të KALLXO.com, i njëjti pritej të ekstradohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo pasi që i njëjti dyshohej se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte kryer veprën penale për mundësim apo detyrim në prostitucion si dhe për drogë.

Lidhur me shkaqet e vdekjes, trupi i pajetë do të dërgohet për obduksion.