Siguria në Punë

Vdekjet në vendet e punës, punëtorët protestojnë sot në Prishtinë

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) do të organizojë protesta kundër vdekjeve në vendin e punës, pagave të ulëta të punëtorëve, si dhe skemave pensionale.

Konkurse të manipuluara, procedura gjyqësore të pa përfunduara që lidhen me punën, punë 24 orëshe pa ndërprerë, mos pagesë të kontributeve penisonale nga punëdhënësi, mos pagesë të pagave deri në 8 muaj, privim nga pushimi vjetor dhe ai mjekësor, mospagesë për punën jashtë orarit të rregullt etj., janë disa nga shumë padrejtësi dhe shkelje me të cilat përballen punëtorët në Kosovë.

Mungesa e zbatueshmërisë së ligjit të punës dhe mbrojtjes e sigurisë në punë si dhe mos respektimi i të drejtave të punëtorëve nga biznesi por edhe institucionet ka bërë që shkeljet të shpeshtohen madje në disa raste punëtorëve vendi i punës ju ka kushtuar edhe me jetë.

Përderisa në sektorin privat ka shkelje në secilën dispozitë të Ligjit të punës siç është mungesa e kontratës, vonesat në paga, problemet me pushime etj., në sektorin publik shkeljet më të mëdha bëhen në fazën e konkurseve.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, ka ftuar të gjithë punëtorët që sot të dalin në protestë nga ora 11:00 në sheshin ‘Nënë Tereza’ e deri të Teatri Kombëtar.

Kërkesat kryesore sipas tij janë për marrëveshjen kolektive e cila duhet të nënshkruhet sepse kësaj marrëveshje i ka skaduar afati, duhet të përsëritet nënshkrimi, aty përfshihet ligji i punës por ka edhe disa benefite për punëtorët.

Kryetari i BSPK-së, tha se të drejtat e punëtorëve po shkelen në të gjithë sektorët, teksa shtoi se sektori i ndërtimit është më i ndjeshmi.

“Nëse ne tentojmë që fuqinë punëtore dhe rininë tonë ta ndalim në Kosovë, sikur po thotë Qeveria, duhet të ndalën e të mos shkojnë jashtë, atëherë duhet të respektohet punëtori me pagë me dinjitoze, duke respektuar rregullat ligjore”, ka thënë ai.

Punëtorët sipas tij detyrohen të punojnë jashtë orarit të punës, dhe nuk paguhet ajo pjesë.

Federata e ndërtimtarisë ankohet se punëtori punon 12 orë dhe paguhet vetëm për 8 orë.

“Këtu Qeveria duhet ta luftojë këtë çështje, sepse kjo punë është në të zezën dhe duhet të luftohet. Ndërtimtaria është sektori më i ndjeshëm ku po ndodhin fatalitete”, ka thënë  Ajdini.