Rr. Marlin Barleti

Vdekja e tre vjeçares Xheneta Gashi, ish-drejtori komunal nuk i përgjigjet ftesës për të dëshmuar në gjyq

Hasan Hasani, ish-drejtor i Shërbimeve Publike, në komunën e Prizrenit, nuk është paraqitur në Gjykatë edhe pse ka qenë i ftuar si dëshmitar dhe ftesën e kishte pranuar në mënyrë të rregullt.

Hasani ishte në udhëheqësi të kësaj drejtorie në qershor të vitit 2016, kur një shtëpi e vjetër në rrugën ‘Marin Barleti’ ishte rrënuar, e si pasojë e rrënimit të sthtëpisë së vjetër, nga plagët e rënda në kokë dhe në trup humbi jetën vajza 3 vjeçare Xheneta Gashi.

Tash 3 vite pas tragjedisësë së ndodhur, Prokuroria e Prizrenit po e akuzon ish-drejtorin e Emergjencave dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit, Bedrija Ejupagiç për dy vepra penale.

Prokuroria e akuzon Ejupagiçin se në mënyrë indirekte nga pakujdesia, nuk ka evituar rrezikun, duke mos vendosur pajisje mbrojtëse përreth shtëpive që kishin rrezik të shembeshin, raporton KALLXO.com.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari ka kryer veprat penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mosevitim i rrezikut.

Në këtë proces gjyqësor deri më tash janë dëgjuar disa dëshmitarë, duke filluar me inspektorët komunal, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare që merren me trashëgimi kulturore, si dhe Samir Hoxha që tash mbanë pozitën e këshilltarit të Ministrit të Kulturës,  e që në kohën e tragjdisë ka qenë në krye të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore.

Hasan Hasani, ishte dëshmitari i radhës që pritej të dëshmonte në këtë gjykim, por i njëjti nuk u paraqit në gjykatë.

Gjykatësja Teuta Krusha, konstatoi se përkundër faktit që dëshmitari Hasani kishte pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, mungesën e tij  nuk e ka arsyetuar.

Gjykatësja Krusha tha se nuk ka marrë nodnjë njoftim as me shkrim as me telefonatë se dëshmitari Hasani do të mungonte, përkundër faktit se është fakt i njohur që i njëjti jeton në Prizren, dhe ftesën e ka pranuar personalisht dhe e ka nënshkruar, sipas asaj që është konstatuar nga dorëzuesi i ftesave.

Mehdi Sefa që e përafqëson akuzën e Prokurorisë së Prizrenit, tha që të tentohet përsëri të thirret në gjykim i njëjti dëshmitar duke i ridërguar ftesë për datën 23 maj.

Gjykatësja Teuta Krusha mori vendim që përsëri të njëjtit do t`i dërgohet ftesë për t`u paraqitur si dëshmitar, në seancën e datës 23 maj.

Lirie Gashi, nëna e vajzës 3 vjeçare që kishte hubmur jetën nga kjo tragjedi, kishte rrëfyer për momentin kur dhe si saktësisht kishte ndodhur tragjedia.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bedrija Ejupagiç, në cilësi të personit përgjegjës në Komunën e Prizrenit, përkatësisht drejtor i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri, nga pakujdesia nuk ka ndërmarrë masat për vendosjen e pajisjeve mbrojtëse përreth shtëpive para shembjes, në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren për të evituar rrezikun, dhe në këtë mënyrë me datë 06.06.2016, rreth orës 15:30 minuta, 3 vjeçarja Xheneta Gashi, e lindur me datë 07.08.2012 derisa ishte duke luajtur në rrugë nga shembja e shtëpisë pëson plagë në kokë dhe në trup, dhe nga plagët e marra vdes.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bedrija Ejupagiç me këto veprime ka kryer veprat penale – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe mos-evitimi i rrezikut.

Kallxo.com ka raportuar se ditë më parë në Prizren, është prezantuar projekti final i “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren”.

Ky projekt është iniciuar që nga viti 2017 dhe është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata “EC ma ndryshe”.

Projekti është financuar nga Ministria e Kulturës, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe Komuna e Prizrenit.

Qëllimi kryesor i projektit, sipas ‘Ec ma ndryshe” është krijimi i një shembulli pozitiv të rigjenerimit urban që do të ndikojë në ruajtjen e karakterit historik të qytetit dhe ofrimi i kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal.

 

Gjykimi për vdekjen e Xheneta Gashit në Prizren – 19.04.2019