Vdekja e Pazbardhur e Punëtorit të Ngrohjes

Kallëzimi penal i policisë për avarinë vazhdon të qëndrojë në Prokurorinë e Gjakovës që ende nuk i ka përfunduar hetimet.

42 vjeçari Zymer Hoti, vdiq mëngjesin e 5 dhjetorit të vitit 2014  nga shpërthimi i kaldajës së ngrohjes qendrore në shkollën “Ibrahim Mazreku” të Malishevës.

Dy vjet pas ngjarjes, bashkëshortja e tij Bahrija kërkon që përgjegjësit e vdekjes së burrit të dalin para drejtësisë.

“Po po du me dit, me qit në dritë burri jem që e ka dhënë atu jetën, po du me qit në dritë fatin e tina, qysh e tek e krejt, ai aty e ka dhënë jetën,” thotë Bahrije Hoti

Vëllai i të ndjerit  Vesel Hoti beson se dikush është përgjegjës për vdekjen e Zymerit.

“Dikush është përgjegjës për këtë rast. Na kërkojmë prej drejtësisë që të zbardhet ky rast pavarësisht se kush është fajtor i kësaj pune, por edhe prokuroria edhe gjyqësia po shkojnë shumë ngadalë,” thotë Vesel Hoti

Për policinë e Kosovës përgjegjës për avarinë është Jonuz Mazreku, drejtori i shkollës “Ibrahim Mazreku”

“Hetuesit rajonalë të Prizrenit kanë kryer hetimet në vendin e ngjarjes dhe në përfundim kanë hartuar një kallëzim penal. I dyshuari në këtë rast është drejtori i shkollës për veprën penale: asgjësimi, dëmtimi, ose heqja e shenjave mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë” thotë Hazir Berisha, zëdhënësi i Policisë së rajonit të Prizrenit.

Për  kallëzimin penal që përmend Berisha nuk di gjë Jonuz Mazreku, drejtori i shkollës ku ndodhi tragjedia.

“Unë sot prej jush po dëgjoj për një kallëzim penal të tillë, pasi deri sot nuk jam  informuar nga askush, por unë jam vetëm menaxher i shkollës, nuk jam punëdhënës dhe nuk kam përgjegjësi në këtë rast, pasi ngrohja qendrore ka qenë duke punuar në mënyrë të rregullt, deri ditën kritike nuk ka pasur problem,” thotë drejtori Jonuz Mazreku.

Kallëzimi penal ndaj drejtorit të shkollës është dorëzuar nga Policia Rajonale e Prizrenit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë para një viti, ndërsa deri sot kjo prokurori nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi edhe Prokurorinë në Gjakovë për ta pyetur pse i duhet kaq shumë kohë për t’i zhvilluar hetimet, por prokurorja e rastit Dëshira Jusaj nuk pranoi të deklarohet për çështjen e vdekjes së punëtorit Zymer Hoti, me arsyetimin se rasti është në fazën e hetimeve.

Në pritje të përfundimi të hetimeve, familja Hoti e ka edhe një brengë tjetër-atë të mungesës së përkujdesjes nga Komuna e Malishevës.

“Asnjëherë nuk ka ardhë komuna me na përkrahë, e kanë ditë rastin qysh e kena pasë, kurrë asnjëherë nuk janë dok bile, ”rrëfen Bahrije Hoti, bashkëshortja e Zymerit.

Vëllai i të ndjerit kujton takimet me zyrtarët komunalë pas ngjarjes dhe premtimet për ndihmë.

“Të ju them të drejtën komuna nuk ka bë asgjë, nuk i ka ndihmuar absolutisht asgjë. Megjithatë po më vjen keq shumë, mua vetëm me ka thirrë në zyre kryetari dhe me ka thanë që dëshiron që diçka t’u ndihmojë këtyre dhe në njëfarë forme jam keqkuptuar edhe me familjen e vëllait, sepse ja kam marrë edhe kartelën e bankës, e ua kam dërguar atje, se ata më kanë thanë, mirëpo ata nuk i kanë ndihmuar asgjë,” shpjegon Vesel Hoti.

Zëdhënësi i Komunës së Malishevës Artan Paqarizi thotë se kjo komunë përpos ndihmave fillestare e ka ndarë edhe shumën prej 1000 eurove për familjen Hoti, por që ende nuk është ekzekutuar në llogarinë e bashkëshortes së të ndjerit.

“Përveç ndihmës fillestare pasi ka ndodhur rasti, komuna, përkatësisht kryetari i komunës, z.Ragip Begaj, ka ndarë edhe një shumë prej një mijë euro (1 000 €)  për familjen Hoti,” tha zëdhënësi i komunës.

KALLXO.com shkroi në dhjetor të vitit 2014 pëe vdekjen e punëtorit Zymer Hoti nga shpërthimi i kaldajës së ngrohjes.

http://kallxo.com/humb-jeten-punetori-i-shkolles-nga-eksplodimi-i-kaldajes-me-gaz/

Edhe në nëntor të vitit të kaluar në Shkollën “Dardania” të Pejës ndodhi një shpërthim i sistemit të ngrohjes, nga i cili u lënduan lehtë 6 nxënës atëherë të klasës së gjashtë.

http://kallxo.com/lendohen-5-nxenes-nga-plasja-e-nxehjes-se-shkolles-ne-peje/

Në shkurt të këtij viti Komuna e Pejës pas një trajnimi dyjavësh teorik e praktik u dha certifikata 41 punëtorëve të ngrohjeve qendrore të shkollave të Pejës.

http://kallxo.com/certifikohen-punetoret-e-ngrohjeve-te-shkollave-ne-peje/