Adem Demaçi. Foto: Facebook

Vdekja e Demaçit në sytë e mediave ndërkombëtare

Vdekja e Adem Demaçit nuk iu ka ikur as mediave ndërkombëtare, të cilat i kanë kushtuar disa rreshta vdekjes së “Mandelës së Kosovës” në moshën 82 vjeçare. Ndër to edhe “The Washington Post” dhe “Reuters”.

Në titullin e gazetës amerikane “The Washington Post” shkruhej “Vdes mbrojtësi i të drejtave të njeriut dhe disidenti i Kosovës Adem Demaçi”.

Adem Demaçi, mbrojtës i të drejtave të njeriut që mishëroi rezistencën kombëtare të Kosovës dhe shpesh quhej “Mandela e Ballkanit”, ka vdekur në moshën 82 vjeçare.

Nënkryetari Xhavit Haliti ndërpreu seancën parlamentare të së enjtes për të raportuar vdekjen e Demaçit, duke thënë se “mësuesi ynë, njeriu që kaloi 28 vjet të jetës së tij në burgjet serbe” ka vdekur. Parlamenti në Prishtinë mbajti një minutë heshtje dhe pezulloi seancën.

Presidenti Hashim Thaçi shpalli tri ditë zie, duke shtuar se funerali i Demaçit do të zhvillohet me “nderimet më të larta shtetërore”.

Drejtori i Qendrës së Mjekesisë Urgjente në Prishtinë, Bujar Gashi tha se Demaçi vdiq nga shkaqe natyrore.

Demaçi, i cili ka studiuar letërsinë, ligjin dhe arsimin, fillimisht njihej si shkrimtar, veçanërisht për romanin e tij të vitit 1958 të titulluar “Gjarpërinjtë e Gjakut”, që tregonte gjakmarrjen në Kosovë dhe Shqipëri.

Mbrojtësi i të drejtave të njeriut, Demaçi u arrestua tri herë dhe kaloi 28 vjet burg për rezistencën ndaj regjimit komunist të atëhershëm të Jugosllavisë. Në vitin 1991, ai u nderua me Çmimin Saharov nga Parlamenti Europian për Lirinë e Mendimit dhe në vitin 2010 mori Urdhrin ‘Hero i Kosovës’.

Ai ishte gjithashtu për një kohë politikani kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në luftën e vendit për pavarësi në vitin 1998-1999, e cila përfundoi pasi NATO ndërhyri për të ndaluar një goditje të përgjakshme të serbëve kundër separatistëve shqiptarë të Kosovës.

Demaçi asnjëherë nuk ka qenë i lidhur ngushtë me një grup politik, duke qenë kritik ndaj udhëheqësve të tyre dhe jo i kënaqur me marrëveshjen ndërkombëtare me Serbinë që i dha fund luftës.

Pas luftës, Demaçi ende mori pjesë në politikë, pati disa paraqitje në media dhe u përfshi më shumë në mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Demaçi la prapa gruan, një djalë dhe një vajzë.

Edhe “Reuters” i kishte kushtuar një artikull vdekjes së Adem Demaçit me titullin “Mandela i Kosovës vdes në moshën 82 vjeçare”.

Adem Demaçi, një ish-i burgosur politik i njohur për shqiptarët etnikë si “Mandela e Kosovës” për rezistencën e tij ndaj sundimit serb, vdiq të enjten në moshën 82 vjeçare.

Demaçi kaloi 28 vjet në burgjet serbe gjatë kohës jugosllave dhe u konsiderua si një simbol për shumicën e shqiptarëve etnikë të Kosovës në luftën e tyre me Jugosllavinë komuniste dhe më vonë me Serbinë për të drejta dhe pavarësi më të madhe për krahinën.

“Është e vështirë të pranosh se simboli ynë i rezistencës ka vdekur. Ai ishte gjithnjë i pathyeshëm dhe i palodhur përballë çdo sfide”, shkroi në Facebook, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti ka njoftuar tri ditë zie.

Pasi u lirua nga burgu në vitin 1990 ai shërbeu deri në vitin 1995 si një aktivist i të drejtave të njeriut, duke raportuar për abuzimet e kryera nën regjimin e Slobodan Millosheviqit.

Ai fitoi çmimin Andrei Sakharov nga Parlamenti Europian për punën e tij për të drejtat e njeriut në vitin 1991.

Në fund të viteve 1990, Demaçi ishte kreu i zyrës së përfaqësimit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila nisi një luftë guerile.

Kosova u nda nga Serbia në vitin 2008, pothuajse një dekadë pas një fushate bombardimi të NATO-s, përmbysi forcat serbe dhe përfundoi shtypjen ndaj shqiptarëve etnikë.

Ajo është njohur nga 115 vende, përfshirë 23 nga 28 vendet anëtare të BE-së, por anëtarësimi i saj në OKB është bllokuar nga aleatët e Serbisë, Rusia dhe Kina.