Vdekja e Arbenitës-Mjeket Mund të Dënohen nga 12 Vjet

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit, Arbenita Selimi- Spahiu, mësuesja që vdiq gjatë lindjes në Spitalin Regjional të Gjilanit në muajin mars të këtij viti, kishte pësuar shok hemorragjik për shkak të gjakderdhjes së ardhur nga trajtimi me vonesë dhe mjete të papërshtatshme nga tash të akuzuarat  Maxhide Shaqiri, Hamide Zeqiri e Vjollca Kosumi.

Maxhide Shaqiri është shefe e repartit të sallës së lindjes, ndërsa Hamide Zeqiri dhe Vjollca Kosumi ishin mjeke kujdestare.

Prokuroria në aktakuzë shpjegon se Arbenita Selimi-Spahiu u mjekua në mënyrë të gabuar nga të akuzuarat

“Me rastin e trajtimit të pacientes-tani të ndjerës Arbenita Selimi-Spahiu, gjatë dhënies së ndihmës mjekësore të lindjes, nga pakujdesia kanë përdorë mjetet e papërshtatshme të mjekimit ndaj pacientes duke i caktuar marrjen e barnave të cilat nuk kanë qenë mjete adekuate- të përshtatshme për ndalimin e gjakderdhjes nga mitra,” thuhet në aktakuzën e ngritur nga prokurori Arben Ismajli.

Prokurori në aktakuzë shpjegon se si duhej të trajtohej e ndjera.

“Mjet i përshtatshëm për mjekim dhe ndalimin e gjakderdhjes ka qenë heqja e mitrës me kohë pas fillimit të gjakderdhjes,” shpjegon aktakuza.

Sipas aktakuzës, pikërisht për shkak se nuk iu ndal gjakrrjedhja, pacientes iu keqësua shumë gjendja.

“Për shkak të vonesës dhe mosndërmarrjes me kohë që pacientes-tani të ndjerës t’ia heqin mitrën, vjen deri te gjakderdhja dhe si pasojë e humbjes së sasisë së mjaftueshme të gjakut pacientja pëson shok hemorragjik me vlera të ulëta jetësore -gjendje agonie,” thuhet në aktakuzë.

Për agoninë e pacientes, prokuroria i bën fajtore mjeket Shaqiri e Zeqiri.

“Kjo gjendje vie për shkak të mostrajtimit të duhur dhe veprimeve të cilat mjekët është dashtë t`i ndërmarrin me kohë, të njëjtat veprime nga të pandehurat nuk  janë ndërmarrë me kohë dhe vie deri te vdekja e pacientes,” vijon aktakuza.

Në aktakuzë tregohet se mjekja kujdestare Vjollca Kosumi refuzoi t’i japë ndihmë Arbenita Spahiut, pasi asaj iu keqësua gjendja.

“Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të pacientes dhe bebes së saj para aktit të lindjes, e njëjta (Vjollca Kryeziu) është njoftuar nga personeli mjekësor për gjendjen e rëndë shëndetësore të pacientes dhe bebes, mirëpo e pandehura ka refuzuar dhënien e ndihmës mjekësore duke thënë të njoftojnë mjekun tjetër kujdestar,” tregohet në aktakuzë.

Kjo pastaj u shkaktoi komplikime lehonës dhe foshnjës.

“Për shkak të komplikimeve shëndetësore para dhe gjatë aktit të lindjes, beba lind në gjendje të rëndë shëndetësore si dhe pas lindjes për shkak të komplikimeve shëndetësore [Arbenita Selimi-Spahiu] me datë 03.03.2016 rreth orës 11.05 ndërron jetë në Spitalin Regjional në Gjilan, në sallën e operacionit,” thuhet në aktakuzë.

Maxhide Shaqiri dhe Hamide Zeqiri akuzohen se kanë kryer veprën penale trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ndërsa Vjollca Kryeziu ngarkohet për mosdhënie të ndihmës mjekësore”.

Shaqiri e Zeqiri mund të dënohen secila deri në 12 vjet burg, ndërsa Kryeziu deri në tetë vjet.

Prokuroria ka kërkuar që tri mjekeve t’u ndalohet edhe ushtrimi i profesionit, veprimtarisë, ose detyrës.