Vdekja e 6 vjeçarit në Deçan, detajet nga Policia e Prokuroria

Rreth orës 19 : 20 në fshatin Berliq një 6 vjeçar është plagosur në kokë me armë.

I njëjti nuk ka arritur që të ju mbijetoj plagëve të marra dhe ka vdekur një orë më vonë.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë në Pejë, Driton Rugova, i cili tregoi se informata i kishte shkuar policisë se një fëmijë po dërgohet në Spitalin e Pejës pasi që i njëjti ishte i plagosur.

“Menjëherë kemi dërguar patrullën policore në spital për të shikuar se çfarë saktësisht kishte ndodhur dhe nga çka është plagosur 6 vjeçari”, tha Rugova për KALLXO.com.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha ekipet relevante së bashku me prokurorin e shtetit”, shtoi tutje Rugova.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Në lidhje me rastin në fjalë prokurori i shtetit së bashku me njësitet polciore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme. Trupi i fëmijës është dërguar në obduksion. Deri në marrjen e raportit nuk mund të dijmë çka ka ndodhur”, tha Nikçi.

Ai shtoi se dyshimet e para janë se arma ka qenë duke u mbajtur me leje.

KALLXO.com ka mësuar se në vendin ku kishte ndodhur plagosja e cila përfundoi fatale, ishin dy vëllezërit njëri 6 vjeç dhe tjetri 8 vjeç.