Basri Ibrahimi - Kryeinspektor i Punes - 25.02.2019 - KALLXO

Vdekja e 22 vjeçarit, naftari konfirmon se Kryeinspektori e pati derën mbyllur

Bislim Muqa, drejtor menaxhues  i kompanisë “Lab-Oil” ka dhënë arsyet se pse sot nuk u lejua Kryeinspektori i Punës të hyjë në vendin ku vdiq 22 vjeçari nga Mushtishti i Suharekës.

Sipas drejtorit menaxhues, arsyeja ka qenë sepse në kohën kur ka shkuar Kryeinspektori nuk ka qenë askush tek fabrika.

“Nuk është se nuk e ka lënë kurrkush me hy, por ne deri në ora 11:00 kemi qenë aty, në 11:00 ora na e kemi mbyllë vendin sepse jemi duke u bërë gati për varrim. Ne jemi në Mushtisht, nuk është se ne e kemi penguar, por s’ka pasur kush me ja hapë derën. Ai na thoshte hajdeni prej atje, po nuk po vijmë se ne jemi ardh për varrim këtu. Unë i thash, pse zotni nuk je ardh më herët sepse deri në ora në 11:00 jemi kanë aty”, ka thënë Bislim Muqa nga kjo kompani.

Ai ka shpjeguar tutje rastin që ka ndodhur sot në mes Kryeinspektorit Basri Ibrahimi dhe një roje te vendi ku vdiq 22 vjeçari, Krenar Jemini.

“Roja që ka qenë aty nuk është i yni, është kompani private që na e bë sigurimin e objektit dhe ai s’ka pas çka, as çelës. Ne nuk e kemi ditë që vjen ai se e kishim lanë një njeri. Nuk është që ne se kemi lanë me hy”, tha ai për KALLXO.com.

Sipas tij, i ndjeri kishte kontratë pune dhe në këtë kompani ishte i punësuar për më shumë se një vit.

“Ai ka qenë me kontratë të punës me të gjitha ligjet qa janë në fuqi. Në punë te ne ishte që një vit e më shumë”, përfundoi ai.

KALLXO.com më herët publikoi një video ku shihej Kryeinspektori Basri Ibrahimi duke mos u lejuar të hyjë brenda në kompaninë ku vdiq 22 vjeçari nga Suhareka.

 

 

https://kallxo.com/vdekja-e-22-vjecarit-pamjet-ekskluzive-kur-kryeinspektorit-nuk-i-lejohet-te-hyje-ne-kompanine-e-derivateve/

.