Vazhdon Thellimi i Deficitit Tregtar me Jashtë

Tregtia e jashtme e Kosovës ka shënuar rritje të deficitit 13.7% në nëntor 2017, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjegjësisht në vlerë prej 230,5 milionë euro krahasuar me deficitin prej 202,7 milionë eurosh në vitin 2016, njoftoi sot Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në raportin lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor 2017 thuhet se eksporti mbulon importin me 11.5%.

Eksporti i mallrave në nëntor 2017 kishte vlerën 30 milionë euro, ndërsa importi 260,6 milionë, që është një rënie prej -6.3% për eksport dhe një rritje prej 11% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

30.6% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 18.9% produktet minerale, 13% plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 11.6%  ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 6.2% produktet bimore, 3.1% artikujt e ndryshëm të prodhuar etj.

Ndërsa 14.4% të importit e përbëjnë  produktet minerale, 12.4% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12.2% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 10.6% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 8.8% mjetet e transportit, 7% produktet e industrisë kimike etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8,0 milionë euro, ose rreth 26.9% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 26.2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania 7.6%, Holanda 4.7%, Bullgaria 2.9% etj.

Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 114,8 milionë euro, ose 44% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12.3%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania 12.3%, Italia 6.1%, Greqia 4.7%, Polonia 2.9% etj.

Në muajin nëntor 2017, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 15,6 milionë ose 52% të eksporteve  të përgjithshme, që është një rënie prej -5.8%) Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë Shqipëria 18.3%, Serbia 15.9%, Maqedonia 11.4%, Mali i Zi 5.1%.

Importet nga vendet e CEFTA-s në nëntor 2017, arritën në 73 milionë euro ose 28% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia 14.2%, Maqedonia 5.5%, Shqipëria 5.3% dhe B&H 2.4%.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 6,3 milionë euro, ose 21.1%, ndërsa partnerë më të rëndësishëm nga këto vende janë India me 8.9% dhe Zvicra 7.6%.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 72,7 milionë euro, ose 27.9%, ku vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 9.2% dhe Kina 8.5%.