Foto: Kallxo.com

Vazhdon polemika Haxha – Deliu Kodra rreth punësimeve në Telekom (VIDEO)

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu- Kodra dhe ish-kryeshefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, kanë vazhduar polemikat edhe në seancën e pasdites të dëshmisë së këtij të fundit për gjendjen në këtë ndërmarrje.

Në seancën e paradites, Haxha tha se edhe Deliu- Kodra i kishte kërkyar atij favore në punësime në Postën dhe Telekomin e Kosovës.

Ndërsa Deliu- Kodra, e cila për kohën për të cilën bëhet fjalë ka qenë gazetare në RTK, reagoi duke mohuar këtë pretendim.

Seanca e pasdites filloi me insistimin e deputetes që Haxha ta tërheqë deklaratën e tij dhe të kërkojë falje, gjë të cilën ai nuk e bëri.

Më poshtë janë disa nga thekset kryesore të polemikës ndërmjet deputetes dhe ish-kryeshefit të PTK-së:

Deliu-Kodra: Po du edhe një herë me ngritë çështjen që e ka thënë gjatë pjesës së parë që unë e kam punësu dikë në PTK. Kjo nuk është e vërtetë. Kjo është shpikur. Sot gjatë gjithë ditës ka qarkullu emri im nëpër medi në vend që të merren me dështimet dhe paratë e harxhuara në PTK. Po kërkoj prej juve që me demantu këtë. Unë nuk jam taku asnjëherë me z.Haxha, për kohën kur po flisni unë kam qenë gazetare.

Haxha: Unë çka pata me thonë e thashë. Nuk du me thonë diçka më shumë. Mos e merrni shumë personale, se mu mediat më kanë mbajtë në ballina.

Deliu-Kodra: Unë nuk du me qenë në media për diçka që e keni shpikë. Unë nuk kam kërku asnjëherë me u punësu dikush në PTK.

Deliu-Kodra: Unë do të inicoj padi.

Haxha: Kjo ka ndodhë në një manifestim të PTK-së në sheshin 21

Deliu-Kodra: Unë asnjëherë nuk kam qenë në një manifestin të PTK-së.

Haxha: Kjo është e vërtetë, ju në manifestim më jeni ofru si shumë të tjera.