Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Vazhdon humori në Kuvendin e Kosovës

Vazhdimi i seancës parlamentare gjatë ditës së martë, ka sjellë sërish humor mes kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve opozitarë.

Derisa po diskutohej projekt-rezoluta e dal nga debati parlamentar në lidhje me gjendjen jo të mirë të rinisë kosovare, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ia dha fjalën deputeti të Vetëvendosjes Adem Mikullovci duke përdorur pak humor.

“Tani deputeti më i ri në Republikën e Kosovës, Adem Mikullovci e ka fjalën”, tha Veseli.

Në fakt, Mikullovci është deputeti më i vjetër nga 120 anëtarët e Kuvendit.

E kur mori fjalën, deputeti Mikullovci tha se është kundër pikës së katërt të rezolutës për rininë, ku thuhet që institucionet e Kosovës duhet të bëjmë më shumë për kthimin e të rinjve shqiptarë nga diaspora për të kontribuar në vend.

“Nuk pajtohem fare me pikën 4 të kësaj rezolute. Kush ka dal jashtë e ka kualifikim fshije që kthehet, as me polici nuk kthehet”, tha Mikullovci.

Një ditë më parë, deputeti Mikullovci kishte imituar kryeparlamentarin duke i thënë se po flet shumë shpejt dhe po e ka vështirë ta kuptojë. Kjo situatë kishte sjellë shumë humor mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Një diskutim tjetër i deputetit të NISAMA-s Socialdemokrate, Zafir Berisha për votimin e projekt rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me gjendjen jo të mirë të rinisë kosovare, bëri që Kuvendi i Kosovës të kthehet sërish në arenë humorësh.

“Unë mendimin për këtë iniciativë e kam dhënë dje në emër të NISMA-s.  Mes tjerash në rezolutë është një fjalë, me e kthyer trurin. Unë mendoj që po dalim shumë qesharak. Me miratu  një rezolutë ku themi ta kthejmë trurin në Kosovë, fjala ishte për mërgimtarët, atëherë ku mbetet trupi”, tha Berisha.

Gjatë këtij fjalimi, deputeti tjetër i NISMA-s Socialdemokrate, Milaim Zeka reagoi pa marrë fjalën në foltore duke thënë “kjo i bie që ne jemi pa tru në Kosovë”.

Duke u bazuar në deklaratat e deputetëve të NISMA Socialdemokrate,  kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli mori një shembull duke etiketuar deputetin Sami Kurteshi.

“Kemi një shembull që tash e merr fjalën, është Sami Kurteshi”, tha Veseli.

Pas këtyre diskutimeve, deputetët e Kuvendit më 78 vota për, 1 kundër, 1 abstenim miratuan rekomandimet nga debati parlamentar në lidhje me kartonin e gjelbër.

Poashtu  si dhe propozim – rezolutën nga debati parlamentar në lidhje me gjendjen jo të mirë të rinisë kosovare.

Gjashtë rekomandimet e sugjeruara nga Partia Socialdemokrate për kartonin e gjelbër morën 78 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim. Po ashtu më 73 vota për dhe 3 abstenime, deputetët votuan edhe për propozim – rezolutën nga debati parlamentar në lidhje me gjendjen jo të mirë të rinisë kosovare.