Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Vazhdon Gjykimi i të Akuzuarve për Mashtrim të Bujqve

Në seancë, mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan hedhjen e aktakuzës.

Fillimisht, Musa Damani mbrojtësi i Valmir Hajrullahut e kundërshtoi aktakuzën e ngritur ndaj klientit të tij.

“Në aktakuzë Prokuroria nuk i ka përshkruar veprimet inkriminuese të cilat do t’i atribuoheshin të mbrojturit tim dhe se kjo aktakuzë nuk përmban prova të mjaftueshme qe e mbështesin dyshimin e bazuar se i mbrojturi im ka kryer veprat për të cilat akuzohet. Andaj, i propozoj Gjykatës që ta hedhë poshtë aktakuzën e ngritur”, tha Damani.

Aktakuzën ndaj klientit të tij, Freskim Buqaj, e kundërshtoi avokati Shpetim Sadiku.

“Kam ushtruar kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në tërësi një nga një pasi ato janë marrë në lokacionet të cilat nuk kanë pasur urdhër për t’u bastisur. Këtu kemi të bëjmë me një aktakuzë të parregullt po ashtu me një dispozitiv të paqartë, andaj i propozoj Gjykatës që ta aprovojë kundërshtimin tim“, tha avokati.

Ndërsa, Ali Rexha, avokati i të akuzuarës Saranda Dobruna, tha se e mbrojtura e tij është e dëmtuar në këtë çështje dhe e akuzoi Prokurorinë.

“Lidhur me pikat në aktakuzë që kanë të bëjnë me vendin, kohën, mënyrën dhe elementet tjera të veprës penale, Prokuroria ka dështuar t’i vërtetojë ato pasi që nuk e ka vërtetuar kohën e veprës penale, po ashtu nuk ka arritur ta vërtetojë vendin pasi që Saranda nuk ka qenë fare në atë vend”, tha avokati.

“E mbrojtura ime është dëmtuar nga organet e Policisë pasi që edhe përkundër masës për paraqitje në Polici atë e kanë përcjellë dhe e kanë shantazhu deri sa klientja ime e ka humbur vendin e punës dhe se Prokuroria ka vepruar me qëllim që ta dëmtojë dhe shantazojë Sarandën për përfitim të personave tjerë”, tha avokati Rexha.

Përkundër pretendimeve të mbrojtësve, prokurori qëndroi pranë aktakuzës.

“Qëndroj pranë aktakuzës së ngritur dhe i kundërshtoj pretendimet e mbrojtesve sa i përket provave të paraqitura në aktin akuzues me arsyetimin se pas një pune hetimore të gjatë me Policinë e Kosovës Prokuroria ka arritur t’i sigurojë provat e mjaftueshme dhe bazuar në këto prova ka përpiluar aktin akuzues, andaj i propozoj Gjykatës që të caktojë shqyrtimin kryesor dhe të elaborohen provat veç e veç pasi që kemi 58 të dëmtuar në këtë çështje penale”, tha prokurori Kujtim Munishi.

Valmir Hajrullahu, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobruna po akuzohen nga Prokuroria se së bashku kanë kryer veprën penale të mashtrimit dhe organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit.

“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore në bashkëpunim kanë themeluar OJQ-në “QAD”(Qendra për Avokim dhe Diplomaci), duke paraqitur dokumentacion të rremë se kanë marrëveshje me Komisionin Europian dhe Ministrinë e Bujqësisë, kanë fituar besim të rrejshëm të qytetarët, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të tyre shumica e të cilëve ishin bujq dhe duke u ofruar kinse grante për të cilat të dëmtuarit kanë participuar në vlerën në mes 25 -30 % të kërkesës bazë duke i paguar ato paraprakisht në llogarinë bankare të QAD-it, të cilat mjete janë nxjerrë menjëherë nga të pandehurit të cilët përveç që nuk e kanë përmbushur obligimin e tyre kanë përfituar rreth 600.000.00 euro, në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa bujqve, sipas aktakuzës, u kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale pasi që disa nga ta kishin marrë edhe kredi.