Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Vazhdon Gjykimi për Banderolat e Ilaçeve

Në gjykimin e katër personave për shpërdorim detyre dhe prodhim të ndaluar, i akuzuari Bersan Kolgeci u mor në pyetje kryesisht rreth një rekomandimi të lëshuar nga Departamenti Ligjor në Agjencinë e Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale (AKPPM), ku ai ishte drejtor.

“Zyra ligjore në AKPPM nuk nxjerr akte juridike me efekt përfundimtar, por jep vetëm rekomandime dhe këshilla profesionale”, deklaroi i akuzuari në pyetjen e avokatit të tij Muhamet Shala.

“Rekomandimi i lëshuar nga Zyra ligjore e AKPPM-së, nuk ka qenë detyrues për Departamentin e Administratës, pasi që është dashtë të merret një vendim nga organi me i lartë, pra nga kryeshefi, pra nga Ilir Dushi, i cili është i akuzuar në këtë rast”, tha po ashtu Bersan Kolgeci.

I akuzuari Kolgeci po ashtu deklaroi se nga kompania “Prima Pharm” ka pasur kërkesë që të bëhet interpretimi i ligjit lidhur me lëshimin e banderolave, pasi që kjo kompani ka pasur licencë për importimin e barnave.

Ndërsa ne pyetjen e prokurores se a keni dhënë edhe më herët ndonjë rekomandim lidhur me lëshimin e banderolave, i akuzuari u përgjigj me “jo”. “Ky rekomandim është lëshuar pasi jam konsultuar me u.d. kryeshefin ekzekutiv Haki Ejupi”, tha i akuzuari.

“Para se të shkojë kryeshefi Ilir Dushi në pushim unë jam konsultuar me të në lidhje me rekomandimin”, deklaroi i akuzuari Kolgeci në pyetjen e avokatit Nikë Shala, mbrojtës i të akuzuarit Ilir Dushi.

Sa i përket nënshkrimit të rekomandimit, i akuzuari deklaron se atë e ka nënshkruar Haki Ejupi pasi që në mungesë të kryeshefit, Hakiu ka qenë ushtrues detyre dhe kemi qenë në një zyrë.

“Në dokumentet e “Prima Pharm” nuk ka pasur ndonjë mangësi”, u përgjigj i akuzuari në pyetjen e avokatit Skender Musa, mbrojtës i të akuzuarit Edon Hajrullaga.

Bersan Kolgeci, Ilir Dushi dhe Haki Ejupi nga Prokuroria akuzohen që si persona zyrtarë në AKPPM, lëshuan 435.124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm”, drejtor i së cilës është i akuzuari tjetër Edon Hajrullaga.

Kolgeci, Dushi e Ejupi akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa Edon Hajrullaga për prodhim të ndaluar.

Sipas Prokurorisë, Bersan Kolgeci, që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Produkteve Medicinale i kishte rekomanduar drejtorit të Administratës së kësaj Agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pharm”, duke i mundësuar asaj që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsyen se sipas saj kompania “Prima Pharm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP- Praktikën e Mirë Prodhuese.

Seanca e radhës ku do të vazhdohet me marrjen në pyetje të të akuzuarve të tjerë do të mbahet më 7 dhjetor 2016.

KALLXO.com raportoi edhe më parë për këtë rast.

http://kallxo.com/debat-rreth-provave-ne-gjykimin-per-barnat/

http://kallxo.com/gjykimi-per-prodhim-te-ndaluar-te-barnave/