Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Vazhdon gjykimi i të akuzuarve për krim të organizuar

Në gjykimin për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve sot pritet që të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor.

Në këtë rast Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, po akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej mbi 10 hektarësh që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor.

Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.