Vazhdon gjykimi i policëve për 40 pako me dredhëza

Gjakovë – Policët sfidojnë aktakuzën

Dy zyrtarët policor të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare sfidojnë aktakuzën e Prokurorisë së Gjakovës. Dy zyrtarët policor Ismet Deva dhe Bit Shala, të akuzuar nga Prokuroria me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës së tyre zyrtare, kundërshtuan aktakuzën e Prokurorisë duke kërkuar që të hedhet si e pabazuar.

Mbrojtësit e të akuzuarve avokatët Meshari Selimaj dhe Genc Juniku, kërkuan nga Gjykata që aktakuza e Prokurorisë të hedhet si e pabazuar.

Në arsyetimin e tyre avokatët thanë se aktakuza nuk është e mbështetur në prova të mjaftueshme.

Ndërsa prokurori i rastit Ramiz Buzhala, kërkoj nga gjykata që kërkesat e mbrojtësve të refuzohen dhe të caktohet shqyrtimi gjyqësorë, me arsyetimin se aktakuza ka prova të mjaftueshme të cilat kanë mbështetje se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen.

“Nuk është kontestuese se të akuzuarit kanë lejuar hyrjen e mallrave komerciale nga Shqipëria në Kosovë edhe pse në atë kohë nuk kishte person zyrtar doganor”, tha prokurori Ramiz Buzhala.

Ndërkaq gjyqtari Shaqir Zika, tha se me vendim të veçantë do të vendos lidhur me kërkesat e palëve.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët  për këtë rast.

Ismet Deva dhe Bit Shala ishin deklaruar të pafajshëm pranë gjykatës së Gjakovës.

Ismet Deva dhe Bit Shala, po akuzohen se në pikën kufitare Qaf-Prush, duke mos qenë kompetent kanë lejuar hyrjen e mallrave, duke i shkaktuar dëm material Kosovës me vlerë 564.60 euro.

Prokuroria pretendon se në Prill të 2018, duke qenë në cilësinë e zyrtarëve policorë në pik kalimin kufitar Qaf-Prush kanë lejuar hyrjen e mallrave komerciale.

Sipas aktakuzës, dy zyrtarët policor kishin lejuar që dy automjetet e ngarkuara me mallra komerciale të hynin në territorin e Kosovës, duke mos i regjistruar në sistemin SIMS.

Në aktakuzë thuhet se automjetin e parë të ngarkuar me perime dhe fruta të ndryshme e drejtonte Muhamet Tahiri, ndërsa automjetin e dytë i cili kishte 40 kuti me dredhëza, e drejtonte Bajram Gjoka.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në atë kohë dhe në atë pik kalimi kufitar nuk kishte oficer doganor si kompetent për të lejuar hyrjen e mallrave.

 

Mirëpo këto mallra janë lejuar që të hynin nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, duke i shkaktuar shtetit të Kosovës dëm material në shumë prej 564.60 euro.