Vazhdimi i Seancës Konstituive Nesër nga Ora 11:00

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër duke filluar nga ora 11:00.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Zyra për Informim e Kuvendit.

“Po, nesër në ora 11:00 do të vazhdojë seanca konstituive”, thekson Zyra për Informim.

Vazhdimin e seancës e ka konfirmuar edhe kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci.

“Nesër në ora 11:00 është vazhdimi i seancës. Sot, para disa orësh, deputetët e PAN-it i kanë dërguar Kuvendit kërkesën për me e mbajtë seancën”, tha Mikullovci për KALLXO.com.

Deri tani, që nga seanca e dhënies së betimit më 3 gusht, deputetët janë mbledhur gjashtë herë pa mundur ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për kandidatin e PAN-it për kryetar të Kuvendit, Kadri Veseli.