Vasfije Krasniqi Goodman dekorohet me titullin 'Emblema e Vushtrrisë'

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka pritur sot në takim Vasfije Krasniqi Goodman, kosovaren e cila përjetoi përdhunimin nga forcat serbe në prill të vitit 1999 dhe pak ditë më parë doli të flasë publikisht.

Tahiri ka njoftuar se i ka dhuruar Vasfije Krasniqi Goodman titullin “Emblema e Vushtrrisë”, për guximin e saj të jashtëzakonshëm.

“Si kryetar i Komunës i kam akorduar znj. Vasfije Krasniqi Goodman titullin “Emblema e Vushtrrisë” me motivacionin “për guximin e jashtëzakonshëm, për thyerjen e stigmës dhe për përkrahjen e viktimave të dhunës çnjerëzore nga milicët serb gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka njoftuar Tahiri.

Tahiri në postimin e tij ka shkruar se Krasniqi është bërë simboli i guximit e thyerjes së stigmës në Kosovë.